Lidhje

Fillon evakuimi i shtetasve të huaj nga Sudani


Disa shtetas të huaj filluan të evakuohen nga Sudani të shtunën ndërsa në më pak se një javë nga nisja e konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë janë vrarë qindra civilë.

Sudan, banorët ikin ndërsa luftimet përshkallëzohen
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Një numër i madh banorësh kanë mbetur të bllokuar në kryeqytet që kur nisi sulmi i përgjakshëm në Kartum. Aeroporti ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve.

Kombet e Bashkuara dhe disa vende të tjera u kanë kërkuar udhëheqësve ushtarakë rivalë të respektojnë armëpushimet e shpallura që kryesisht janë injoruar dhe të hapin një kalim të sigurt si për civilët që ikin, ashtu edhe për furnizimin me ndihma shumë të nevojshme.

Me aeroportin të mbyllur dhe korridoret ajrore të pasigurta, mijëra të huaj përfshirë punonjësit e ambasadave, ata të ndihmave dhe studentët në Kartum dhe gjetkë në vendin e tretë më të madh të Afrikës, e kanë patur të pamundur të largohen.

Ushtria tha të shtunën herët se do të krijonte rrugë të sigurta për evakuimin e shtetasve nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Kina, ndërsa Arabia Saudite dhe Jordania kanë nisur evakuimet nëpërmjet Portit të Sudanit në Detin e Kuq. Ushtria tha se në aeroportet në Kartum dhe qytetin më të madh në rajonin Darfur, Nyala, situata është problematike.

Në orët e vona të së shtunës, Arabia Saudite tha se kishte evakuuar 157 sauditë dhe qytetarë të kombësive të tjera. Kuvajti tha se disa nga qytetarët e tij kishin mbërritur në Jeddah. Jordania tha se kishte filluar evakuimin e 300 qytetarëve.

Një diplomat i huaj, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se disa punonjës të shërbimit diplomatik në Kartum po shpresonin të evakuoheshin në rrugë ajrore në dy ditët e ardhshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara paralajmëroi amerikanët se kishte "informacion jo të plotë" në lidhje me autokolonat që niseshin nga Kartumi dhe se nuk garanton sigurinë për individët që marrin përsipër të udhëtojnë në këtë mënyrë.

Nga qyteti po ikin ata që kanë mundësi

Ndërsa vazhdojnë luftimet, pjesë të kryeqytetit të Sudanit, Khartoum janë në zjarr. Nga qyteti po ikin ata që e kanë këtë mundësi.

Studenti Anas Mohammed, thotë se u detyrua të arratiset pasi fqinji i tij është qëlluar dhe plumbat kanë hyrë në shtëpinë e tij.

“Tani nuk ka vend të sigurt në kryeqytet. Ne dëshirojmë paqe dhe siguri për ata që ende do të qëndrojnë në Khartoum. Ne lutemi për ta, por mendoj se është më mirë që ata të largohen për sigurinë e tyre”, tha studenti Anas Mohammed.

Luftimet në Sudan janë rezultat i një grusht shteti të vitit 2019 që rrëzoi ish-udhëheqësin Omar al-Bashir.

Grusht shteti u organizua nga dy grupe ushtarake, njëri i udhëhequr nga gjenerali Abdel-Fattah Burhan dhe tjetri nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, kreu i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake.

Të dy kryesuan një tjetër grusht shteti në vitin 2021, duke rrëzuar kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe duke pezulluar kushtetutën.

Që atëherë, premtimet për një qeveri civile janë lënë në hije nga tensionet mes të dyve se kush do të drejtonte një ushtri të konsoliduar.

Këto tensione çuan në dhunën që shpërtheu në fillim të këtij muaji.

“Ata na mashtronin duke bërë sikur ishin partnerë në përpjekjen për tranzicion, kur, në fakt, po bënin gjithçka që mundeshin për të penguar tranzicionin”, tha Jeffrey Feltman, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për zonën e Afrikës që përfshinë edhe Sudanin.

Ish-ambasadori sudanez në SHBA thotë se gjeneralët duhet t'u japin përparësi njerëzve të cilëve u shërbejnë.

“Ndaloni luftën, mbroni civilët dhe siguroni ndihmën e nevojshme humanitare. Më pas, në përpjekje të ushtrojë presion mbi palët ndërluftuese për të pranuar kthimin në normalitet që për ne nënkupton një qeveri civile”, thotë Noureldin Sati, ish-ambasador i Sudanit në SHBA.

Ndërkohë, banorët kërkojnë siguri pasi shumë përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe pakësim të furnizimeve me ujë dhe ushqim.

“Ne po kërkojmë një vend të sigurt për të na strehuar në mungesë të ujit dhe ushqimit. Lusim Zotin të jetë i mirë me ne”, tha Al-Nour Abbas Daud, banor i kryeqytetit, Khartoum.

Disa civilë ankohen se nuk kanë informacione për shkakun e luftimeve dhe perspektivat për paqe.

“Që në fillim të ngjarjeve, ne si civilë nuk dinim çfarë të bënim. Ne nuk e dimë se kush çfarë kontrollon”, tha Mahmoud Salih-Aloshara, banor i kryeqytetit, Khartoum.

Apele për ndihmë vijnë edhe nga disa banorë të kryeqytetit që u larguan nga konfliktet e tjera në rajon, si Roza Matama nga Etiopia, e cila jeton në Sudan për shtatë vjet.

“Tani rrimë pa rrymë, pa ujë, pa bukë, pa asgjë, ndaj na duhet dikush që të na ndihmojë. Fëmijët e mi tani nuk pinë, nuk hanë asgjë”, tha Roza Matama, banore e Khartoumit.

XS
SM
MD
LG