Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell tha të mërkurën se plani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shtensionimin e situatës në veri të vendit, nuk trajton elementet thelbësore që kanë nxitur krizën aktuale në atë zonë.
Në një përgjigje dërguar kryeministrit Kurti, zoti Borrell tha se kërkesat e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mbesin të vlefshme, duke theksuar se dështimi në shtensionimin e situatës do të rezultojë në pasoja negative.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Kosova tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu si dhe largimin e përkohshëm të kryetarëve të rinj shqiptarë nga zyrat komunale për në zyra alternative.
“Paralelisht me këtë ne po i kërkojmë Serbisë të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga kjo zonë. Pas shtensionimit, mbesim të gatshëm për të diskutuar më hollësisht aranzhmanet e sigurisë me KFOR-in dhe EULEX-in në katër komuna, që ju e sugjeroni në pikën tre”, tha zoti Borrell duke shtuar se kjo nënkupton që kryeministri Kurti duhet të marrë plotësisht në konsideratë opinionet e EULEX-it dhe KFOR-it duke përfshirë bashkërendimin paraprak me ta. “Theksojmë me keqardhje se ky nuk ishte rasti për operacionin e djeshëm në veri të Mitrovicës”, tha ai, duke ju referuar arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të NATO-s më 29 maj.
“Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë”, tha zoti Borrell.
Ai ritheksoi kërkesën për organizimin e zgjedhjeve sa më parë në komunat veriore, element që përfshihet në planin e kryeministrit Kurti por vetëm pas “vendosjes së sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, që nënkupton vënien para drejtësisë së personave që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave të qytetarëve serbë në veri.
“Nuk mund te ketë pandëshkueshmëri për dhunën e ushtuar me 29 maj dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në linjë me mandatin e vet”, shkruan zoti Borrell.
Sa i përket kërkesës së kryeministrit Kurti për organizimin e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, zoti Borrell tha se ka gatishmëri për një takim të tillë me kusht që kryeministri Kurti është i gatshëm të ndërmarrë hapa për shtensionim të situatës dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja.
“Nuk mund të shënojmë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që merremi me menaxhimin e krizave. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse shtensionimi është i nevojshëm menjëherë”, thuhet në letrën e zotti Borrell, dërguar kryeministrit të Kosovës.