Lidhje

SHBA: Rusia po përdor marrëveshjen e grurit si një armë lufte


Linda Thomas-Greenfield
Linda Thomas-Greenfield

Rusia po përdor marrëveshjen për eksportin e drithërave ukrainase si një armë lufte, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield të hënën pas njoftimit të Moskës për tërheqje nga marrëveshja.

“Shikoni dëmin që Rusia i ka bërë zinxhirit botëror të furnizimit me ushqim. Duke e përdorur atë si armë, Rusia ka përkeqësuar krizën globale të sigurisë ushqimore, e cila do të dëmtojë më së shumti njerëzit në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Dhe sot, në një veprim tjetër të pamëshirshëm, Rusia pezulloi pjesëmarrjen në Iniciativën e Detit të Zi për Drithërat”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield gjatë një diskutimi mbi gjendjen në Ukrainë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën.

Zelensky: Marrëveshja për eksportin e drithërave mund të funksionojë edhe pa Rusinë

Marrëveshja për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi duhet të vazhdojë dhe mund të funksionojë pa pjesëmarrjen e Rusisë pas tërheqjes së Moskës të hënën, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ukraina, tha Zelensky në një video-fjalim të hënën në mbrëmje, është një burim ushqimi për 400 milionë njerëz. "Afrika dhe Azia kanë të drejtën e tyre për stabilitet", tha ai.

Rusia ndërpreu pjesëmarrjen të hënën në marrëveshjen njëvjeçare që lejon Ukrainën të eksportojë drithëra përmes një korridori të sigurt transporti në Detin e Zi, duke shkaktuar shqetësim në vendet më të varfra se rritja e çmimeve do ta bëjë të papërballueshme koston e ushqimit për shumë njerëz.

Volodymyr Zelensky
Volodymyr Zelensky

Moska tha se nëse kërkesat për të përmirësuar eksportet e drithërave dhe plehrave të saj do të plotësoheshin, ajo do të konsideronte ringjalljen e marrëveshjes së njohur zyrtarisht si Iniciativa e Detit të Zi për Drithërat.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia u përshëndet nga shumë vende, duke u konsioderuar si një masë parandalimi ndaj një emergjence globale ushqimore pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe bllokadës së porteve të Detit të Zi.

"Ukraina, OKB-ja dhe Turqia së bashku mund të sigurojnë funksionimin e një korridori ushqimor dhe inspektimet e anijeve. Kjo është e nevojshme për të gjithë botën", tha Presidenti Zelenskiy.

Në një mesazh të veçantë në aplikacionin Telegram, zoti Zelenskiy tha se në një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, ata ranë dakord "të punojnë së bashku dhe me vendet përkatëse, për të rikthyer sigurinë ushqimore dhe dërgesat e ushqimit përmes Detit të Zi."

Në video-mesazhin e tij, presidenti ukrainas tha se bota tani "ka mundësinë të tregojë se askush nuk duhet lejuar të bëjë shantazhe. Të gjithë duhet të garantojmë sigurinë, mbrojtjen nga çmenduria ruse".

“Iniciativa e Detit të Zi për Drithërat mund dhe duhet të vazhdojë të funksionojë edhe pa Rusinë”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i cili ndodhet në Nju Jork këtë javë për të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i kërkoi Rusisë që t’i jap fund "lojërave të urisë".

XS
SM
MD
LG