Lidhje

Erdogan intensifikon përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen për grurin ukrainas


UN General Assembly
UN General Assembly

Ndërsa udhëheqësit botërorë po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po intensifikon përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen mbi eksportin e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi. Presidenti Erdogan ka shtuar përpjekjet për ta bindur Rusinë të rifillojë zbatimin e marrëveshjes.

Erdogan intensifikon përpjekjet për marrëveshjen për grurin ukrainas
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të përpiqet të shfrytëzojë takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të shpëtuar marrëveshjen e eksportit të grurit të Ukrainës pas tërheqjes së Rusisë nga ajo. Zoti Erdogan, i cili ka lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërmjetësoi marrëveshjen e grurit vitin e kaluar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

“Turqia po luan një rol pozitiv, që po vlerësohet nga vendet e tjera. Kjo në një farë mënyre po justifikon qasjen e ekuilibruar të Turqisë. Nëse Turqia do të kishte pezulluar dialogun politik me Rusinë, Presidenti Erdogan nuk do të mund ta luante këtë rol. Pra, në një farë mënyre, ky angazhim i tij i ka zbutur kritikat ndaj qëndrimit të ekuilibruar të Turqisë”, thotë Ozgur Unluhisarcikli nga Fondi Gjerman Marshall.

Presidenti Erdogan u takua me homologun e tij rus Putin në fillim të këtij muaji dhe tha se ai do të paraqiste propozime në OKB për të ringjallur marrëveshjen e grurit.

Udhëheqësi turk ka shprehur simpati për thirrjen e Moskës për lehtësimin e sanksioneve për të lejuar eksportet ruse të grurit dhe për heqjen e kontrolleve financiare për të lejuar pagesat për eksportet e grurit.

“Me të drejtë, vendet perëndimore po tregohen të kujdesshme ndaj kërkesave të Putinit. Marrëveshja e grurit është çështja e fundit që Putini mund ta shfrytëzojë kundër asaj që ne mund ta quajmë arma ekonomike kundër Rusisë”, tha për Zërin e Amerikës studiuesi i Universitetit Kadir, Onur Isci.

Lidhjet e ngushta të Erdoganit me Putinin kanë acaruar marrëdhëniet e tij me Uashingtonin, gjë që do t’i komplikojë përpjekjet e udhëheqësit turk të bindë Presidentin amerikan Joe Biden për të bërë lëshime. Vëzhguesit thonë se zoti Erdogan do të kërkojë mbështetje nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres.

“Ne e dimë se marrëdhëniet midis Presidentit Erdogan dhe Presidentit Biden nuk janë të shkëlqyera. Presidenti Biden e ka të qartë se Erdogani është i vetëdijshëm që Turqia nuk mund t’i bindë e vetme Shtetet e Bashkuara për të bërë një lëvizje në këtë drejtim. Pra, mendoj se ai do të përpiqet të angazhojë Kombet e Bashkuara, për të bindur zotin Biden të bëjë lëshime kundrejt Rusisë”, thotë Mustafa Aydin nga Këshilli i Turqisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Përpjekjet diplomatike të Erdoganit pasojnë përpjekjet e Ukrainës për të eksportuar grurë përballë kërcënimeve ruse, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi të luftës atje.

“Rusia qëllimisht mund të përpiqet t'i bllokojë ato dhe mund të përshkallëzojë situatën. Atëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Pastaj konflikti mund të përhapet në Turqi ose në vende të tjera të Detit të Zi. Aktualisht konflikti është i kontrolluar”, thotë analisti Mustafa Aydin.

Për Erdoganin, vëzhguesit thonë se ruajtja e marrëveshjes së grurit do të shmangte rrezikun e urisë, rritjen e çmimit të ushqimeve dhe do të ndihmonte në heshtjen e kritikëve të lidhjeve të tij me Putinin. Kjo gjithashtu do të zvogëlonte rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG