Lidhje

Blinken: Ndihma amerikane mund sjellë ndryshim në fushën e betejës për Ukrainën


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai e quajti një "paketë vendimtare" ndihme, gjatë bisedimeve të martën në Kiev me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Sekretari Blinken arriti në Ukrainë në një udhëtim të paparalajmëruar për të transmetuar atë që zyrtarët amerikanë e quajtën një "mesazh të fortë sigurie", në një kohë kur forcat ukrainase po përballen me sulme të forta nga ushtria ruse në Ukrainën lindore dhe po presin mbërritjen e dërgesave të reja të armëve nga aleatët.

Blinken: Ndihma amerikane do sjellë ndryshim në fushën e betejës për Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Presidenti Zelensky i tha sekretarit Blinken se vizita e tij po ndodhë në një "periudhë të vështirë në lindje të vendit tonë".

Gjatë javës së kaluar, Rusia intensifikoi sulmet e saj në rajonin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha Presidentit Volodmyr Zelenskyy se pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake amerikane ka mbërritur në Ukrainë dhe se priten dërgesa të tjera të cilat do të sjellin “një ndryshim real” në fushën e betejës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e tjerë të Kievit janë të vendosur që t’i sigurojnë Ukrainës gjithçka i nevojitet për të arritur fitore ndaj trupave ruse.

“E dimë se kjo është një periudhë sfiduese, por dimë po ashtu se ndihma po vjen. Një pjesë ka mbërritur dhe priten furnizime të tjera. Ndihma do të sjellë ndryshim real në fushën e betejës ndaj agresionit rus. Ne jemi të vendosur që Ukraina të fitojë në fushën e betejës. Ukraina e lirë do të ishte ndëshkimi më i mirë për Putinin dhe garancia më e mirë për të ardhmen tuaj”, tha Sekretari Blinken.

Presidenti Zelensky tha se do të diskutojë me Sekretarin Blinken për mbërritjen sa më parë të ndihmës amerikane si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë shpresën se Ukraina mund të sigurojë sistemet e raketave Patriot, për mbrotjen e Kharkivit.

“Vendimi për dërgimin e ndihmave ushtarake ishte jetik për ne dhe është e rëndësishme që t’i marrim sa më parë të jetë e mundur. Çështja e dytë, është mbrojtja ajore, deficiti ynë më i madh. Ne na duhen sistemet e mbrojtjes aorore Patriot për rajonin e Kharkivit, sepse atje civilë dhe ushtarë janë nën sulmin e raketave ruse”, tha Presidenti i Ukrainës.

Vizita e sekretarit Blinken përfshin gjithashtu bisedime me kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba, si dhe një fjalim në Kiev.

Shtetet e Bashkuara të premten njoftuan dërgimin e një pakete armësh dhe pajisjesh prej 400 milionë dollarësh.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se po bën "çdo gjë" që është e mundur të për të përshpejtuar dërgimin e armëve në Ukrainë për të luftuar kundër ofensivës tokësore ruse në rajonin e Kharkivit.

"Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore, si ne, ashtu edhe aleatët tanë", u tha gazetarëve këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, duke shtuar se një paketë e re armësh do të shpallet "në ditët në vijim".

Më të pakta në numër dhe më pak të armatosura, forcat ukrainase po presin por ndihmën shumë të nevojshme ushtarake amerikane.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se shkatërroi 25 raketa ukrainase mbi rajonin e Belgorodit, që shtrihet në anën ruse të kufirit nga Kharkivi.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori rajonal i Belgorodit, tha të martën në rrjetin Telegram se një person u plagos dhe më shumë se 20 shtëpi u dëmtuan gjatë sulmit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë të martën se shkatërruan 18 dronë rusë të nisur gjatë natës mbi rajonet ukrainase Cherkasy, Donetsk, Kherson, Khmelnytskyi, Kirovohrad, Kiev dhe Zaporizhzhia.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG