Rreth 600 ushtarë gjermanë do t’u bashkohen forcave të KFOR-it në Kosovë nga 6 marsi deri më 13 prill, bënë të ditur zyrtarë të NATO-s në Prishtinë. Ata do të përfshihen në operacionin “Përpjekja e Vendosur 2005” e cila, siç u tha do të demonstrojë mundësitë e NATO-s për të përforcuar trupat e saj në Kosovë.
Prania e këtyre trupave, sipas zyrtarëve të KFOR-it, do të dërgojë mesazhin e qartë se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë fuqimisht të përkushtuara për ruajtjen e paqes dhe qendrueshmërisë në Kosovë.
Zyrtarët e NATO-s thanë se operacioni është planifikuar qysh verën e kaluar dhe është pjesë e stërvitjeve normale të forcave paqërujatëse. Ata thanë se operacioni nuk ka të bëjë me spekulimet për trazira të mundshme të Kosovë.
Të 600 trupat që pritet të arrijnë të shtunën në Kosovë me rreth 200 automjete ushtarake e çojnë në 19 mijë numrin e trupave paqërujatëse në Kosovë.
Në tetor të vitit të kaluar në prag të zgjedhjeve parlamentare, forcave paqëruajtëse iu shtuan edhe rreth 2 mijë ushtarë francezë, gjermanë dhe italianë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, NATO-ja vendosi të mos e zvogëlojë numrin e ushtarëve në Kosovë pasi viti 2005 cilësohet shumë i ndjeshëm për Kosovën për shkak të hapjes së mundshme të procesit për zgjidhjen e statusit të saj politik.