Lidhje

Kryeministri maqedonas  bisedon në Prishtinë për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë


Kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski, kërkoi të mërkurën në Prishtinë që kufiri ndërmjet Kosovës dhe vendit të tij të shënohet sa më parë që është e mundur. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Prishtinë në kuadër të së cilës është hapur edhe zyra ekonomike e Maqedonisë.

Kryeministri Buçkovski tha se partner në bisedime për shënimin e kufirit duhet të jetë misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nënvizoi se zgjidhja e kësaj çështjeje do të ndihmonte jo vetëm Republikën e Maqedonisë por edhe mbarë rajonin.

“Do të jetë mirë edhe për Kosovën sepse qytetarët e saj dhe në veçanti shqiptarët do të dëshmonin se nuk ekziston një ide për Kosovën e Madhe ose Shqipërinë e Madhe, që do të zvogëlonte gjasat e tyre para bisedimeve për statusin përfundimtar”, tha ai duke shtuar se me këtë do të respektohej edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Buçkovski, i cili në Prishtinë erdhi pas vizitës në Beograd, theksoi se qeveria e tij do të pranojë çdo zgjidhje për Kosovën, që respekton integritetin tokësor dhe sovranitetin e Maqedonisë, që do të arrihej me kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai tha se Maqedonia dëshiron të ketë një vend fqinj të qëndrueshëm dhe demokratik por statusi i Kosovës nuk varet prej saj.

Shkupi zyrtar ka nënshkruar një marrëveshje me Beogradin në shkurt të vitit 2001 për kufirin me Kosovën sipas së cilës rreth 2 mijë e 500 hektarë të Kosovës i kalonin Maqedonisë.

Kjo zemëroi shqiptarët e Kosovës dhe posaçërisht banorët e zonës kufitare. Institucionet vendëse kundërshtuan edhe zyrtarisht këtë marrëveshje e cila u njoh si e ligjshme nga Kombet e Bashkuara.

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha të mërkurën se shënimi i kufirit me Maqedoninë nuk do të mbetet i pazgjidhur në kohën kur po përgatiten bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

“Kjo kërkon një dialog të drejtpërdrejtë, nëpërmjet bisedimeve edhe jozyrtare ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, por në të njëjtën kohë edhe Beogradi do të mbahet i informuar për këto bisedime”.

Ai tha se me një qasje konstruktive dhe pragmatike së shpejti do të arrihet marrëveshje rreth kësaj çështjeje.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha shkurtazi se shënimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, duhet të presë ditë më të mira.

“Kemi gatishmëri që Prishtina dhe Shkupi të bëjnë demarkacionin në kohën e duhur në një proces, pra në kuadër të zgjidhjes së shumë çështjeve të ndërsjella. Ka një vullnet tumirë dhe të gjitha shkojnë drejt një bashkëpunimi edhe më të mirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë”, tha kryeministri Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova anuloi ndërkaq takimin me kryeministrin Buçkovski për shkak siç u tha të punëve të shumta që kishte. Por besohet se takimi është anuluar për shkak se Presidenti Rugova ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj çështjes së kufirit me Maqedoninë, duke zemëruar zyrtarët e atjeshëm.

XS
SM
MD
LG