Lidhje

Skandali i Uotergejtit: Zbulohet burimi që u mbajt sekret për mbi 31 vjet


Një sekret i vjetër amerikan u bë dje publik. Gazeta Washington Post konfirmoi se ish-punonjësi i FBI-së Mark Felt ishte burimi i njohur me nofkën ‘Zëri i Ngjirur’ i cili u përcolli gazetarëve informata për skandalin Watergate, duke çuar në dorëheqjen e presidentit Nixon në vitin 1974.

Ishte një skandal që i kushtoi postin një presidenti amerikan. Skandali Watergate e kishte zanafillën në përpjekjet e administratës së presidentit Nixon për të marrë informata mbi opozitën, duke paguar hajdutë të futeshin fshehtazi në zyrat e Partisë Demokrate. Si rezultat filluan procedurat për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Në mes të këtij procesi, në gusht 1974, presidenti Nixon deklaroi se do të japë dorëheqjen.

"Po jap dorëheqjen nga presidenca. Vendimi hyn në fuqi nesër në mesditë”.

Hetimet filluan nga gazetarët e të përditshmes Washington Post, Bob Uduërd dhe Karl Bernstin, të cilët publikuan njoftimin për skandalin. Burimi i tyre kryesor ishte personi i njohur me nofkën “Zëri i Ngjirur”. Dy gazetarët dhe ish-shefi i tyre, Ben Bredli kishin këmbëngulur prej shumë kohësh se nuk do ta publikonin identitetin e Zërit të Ngjirur, deri pas vdekjes së tij.

Por 91-vjeçari Mark Felt i tha kohët e fundit revistës Vanity Fair se ai ishte burimi i informacionit të skandalit. Artikulli u botua dje dhe u konfirmua nga Washington Posti. Në faqen elektronike të gazetës dje, zoti Uduërd, zoti Bërnstin dhe zoti Bredli e konfirmuan publikisht identitetin e Zërit të Ngjirur.

Dje pasdite zoti Felt doli para shtëpisë së tij në Kaliforni, ku tani jeton me të bijën. Vajza e tij foli më pas për të atin e saj me gazetarët:

“Ai është një njeri i madh. Ai është shumë i dashur dhe shumë i vëmendshëm ndaj të tjerëve. Ne të gjithë ndjehemi shumë krenarë për të, jo vetëm për rolin e tij në histori, por edhe për karakterin e tij”, tha Joan Felt.

Më parë, avokati i zotit Felt, John O’Connor, i cili shkroi artikullin për gazetën Vanity Fair, dha shpjegime me telefon, përse identiteti i tij ishte mbajtur sekret kaq gjatë:

“Siç e dini, për 30 vjet ai e mbajti sekret këtë fakt pasi e konsideronte aktin e tij disi të pandershëm.

Në deklaratën e tyre, Bon Uduërd dhe Karl Bernstin, roli i të cilëve në skandalin Uatergeit u pasqyrua edhe në filmin All the President’s Men, thanë se zoti Felt, numri dy i FBI-së në atë kohë, i ndihmoi ata pa masë për artikullin e tyre. Por ata shtojnë se kishte edhe shumë burime të tjera që kontribuan për mbulimin e skandalit me qindra artikuj të botuar në Washington Post.

XS
SM
MD
LG