Lidhje

Udhëheqësit botërorë shprehin ngushëllimet për vdekjen e Mbretit Fahd


Udhëheqësit botërorë po i dërgojnë ngushëllime familjes mbretërore saudite për vdekjen e Mbretit Fahd, sundimi 23 vjeçar i të cilit pati ndikim përtej kufijve të Arabisë Saudite.

Vdekja e Mbretit Fahd ibn Abdul Aziz al-Saud, monarku i 5 i Arabisë Saudite, shënon fundin e sundimit të një mbretërie që solli ndryshime të mëdha.

Nën sundimin e tij, Arabia Saudite u bë një vend i pasur për shkak të rezervave të mëdha të naftës dhe një lojtar kryesor në arenën ndërkombëtare.

Me të mësuar për vdekjen e mbretit, Presidenti Bush mori në telefon Mbretin e ri, Abdullah, për t’i shprehur ngushëllimet.

Mbreti Fahd, lejoi Presidentin e parë Bush që të vendoste trupa dhe aeroplanë ushtarakë në mbretërinë e tij gjatë Luftës së Gjirit Persik, gjë që i siguroi atij mirënjohje të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe në të njejtën kohë, ngjalli urrejtje po kaq të madhe, tek një brez i ri ekstremistësh, me në krye Osama Bin Ladenin.

Princi Turki al-Faisal, i dërguari saudit në Britaninë e Madhe, i cili pritet të fillojë nga puna si ambasador në Shtetet e Bashkuara, tha se roli i Arabisë Saudite gjatë Luftës së Gjirit, është një element i rëndësishëm i trashëgimisë së Mbretit Fahd.

“Ndoshta një prej arritjeve të tij më të mëdha ishte qëndrimi që mbajti kundër Sadam Huseinit në vitin 1990 duke bashkuar botën në kundërshtimin e pushtimit të Kuvajtit.”

Kryeministri britanik Tony Bler e quajti Mbretin Fahd një njeri me vizion të madh dhe një udhëheqës që frymëzoi bashkëatdhetarët e tij. Kancelari Gjerman Gerhard Shrëder e vlerësoi Mbretin Fahd për largpamësinë dhe për angazhimin e tij personal në dialogun midis Lindjes së Mesme dhe botës perëndimore. Presidenti francez Zhak Shirak tha se Mbreti Fahd, siguroi integritetin e vendit të tij, zhvillimin e tij ekonomik dhe mbrojti stabilitetin rajonal.

Udhëheqësit arabë po mbajnë zi për humbjen e njërit prej tyre. Kryeminsitri i Kuvajtit Sheiku Sabah al-Ahmad al-Sabah tha se Mbreti Fahd ia kushtoi jetën shërbimit ndaj fesë, atdheut, popullit dhe kombit arab e mysliman. Presidenti i Sirisë Bashar al-Asad tha se monarku saudit, gjatë gjithë jetës, mbrojti, atë që ai e quajti, mbretëri motër të Arabisë Saudite dhe kauzën e kombit arab.

Si Mbret i Arabisë Saudite, Mbreti Fahd nuk ishte thjesht një udhëheqës arab, por edhe një udhëheqës fetar, meqë ai sundonte në vendin që ka dy objektet më të shenjta të fesë islame: Mekën dhe Medinën.

Duke folur në Egjipt, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa, shprehu hidhërimin e thellë për vdekjen e Mbretit Fahd.

“Mbreti Fahd, ishte një mbret i madh dhe u shërbeu më së miri interesave të botës arabe dhe myslimane. Sot ne e ndjejmë humbjen e tij. Në të njejtën kohë ne kemi besim se Arabia Saudite do të jetë në vijën e parë të vendeve arabe e myslimane për zhvillimin dhe organizimin e këtyre vendeve si dhe për mbrojtjen e të drejtave të arabëve.”

Zoti Musa po ashtu njoftoi se në shenjë respekti, takimi i Lidhjes Arabe që ishte planifikuar të zhvillohej pas dy ditësh në Sharm el-Sheik të Egjiptit, në vendin ku ndodhën shpërthimet terroriste të kohëve të fundit, do të shtyhet për më vonë.

Princi Turki, ambasadori saudit, tha se me vdekjen e Mbretit do të ketë pak ose aspak ndryshim në politikat që ai kishte ndjekur.

“Princi trashëgimtar që hypi në fron, Mbreti Abdullah, ka punuar ngushtë me Mbretin Fahd për zbatimin e politikave që ndjek Arabia Saudite si brenda edhe jashtë vendit. Nuk mendoj se do të ketë ndryshim në këto politika, por pritet vazhdimi i qëndrimeve të mbretit Fahd.”

Mbreti Abdullah, konsiderohej në fakt si sunduesi i mbretërisë saudite, që kur Mbreti Fahd, pësoi një goditje në zemër para 10 vjetësh.

XS
SM
MD
LG