Lidhje

Zbutja e erërave mundëson përparimin e përpjekjeve të zjarrfikësve në Kaliforni


Zjarrfikësit në Kaliforninë Jugore po bëjnë përparim në përpjekjet për të vënë nën kontroll 12 zjarret që kanë përfshirë rajonin, falë përmirësimit të kushteve të motit.Autoritetet thonë se erërat e nxehta të shkretëtirës që përhapën zjarret, u qetësuan dje, duke u dhënë mundësi skuadrave të zjarrfikësve që për herë të parë të luftonin flakët. Helikopterët dhe cisternat ajrore hodhën ujë gjithë ditën në zonat më të goditura. Zyrtarët thanë se dëmet e shkaktuara nga zjarret në Kaliforninë Jugore mendohet që të arrijnë në rreth 1 miliard dollarë. Zjarret ende nuk janë vënë nën kontroll. Dy banore shqiptare të San Diegos përshkruan gjendjen e atjshme për Zërin e Amerikës:

Banorët e zonës së San Diegos, pas tre ditësh po arrijnë të shohin përmasat e katastrofës që ka djegur rreth 170 mijë hektarë dhe 15 mijë shtëpi. Ndërsa zona të tëra janë ende të bllokuara, disa biznese i janë rikthyer punës.

Nora Kostreci Unwin, një shqiptare që banon në San Diego, që është goditur më rëndë nga këto zjarre, tha se dëmet e shkaktuara janë shumë lehtë për t’u vënë re. Zonja Unwin, që punon në një kompani elektronike pranë njërës prej zonave të prekura më rëndë, Rancho Bernardo, u rikthye të mërkurën në punë dhe rrugës pa më nga afër dëmet e shkaktuara.

“Duke udhëtuar sot (të mërkurën) në autostradë, shikoja tymin në kodrat që akoma po digjeshin. Gjithashtu, në zonën Rancho Bernardo, ku janë djegur shumë shtëpi, shikoja dhe kodrat tërësisht të djegura dhe shtëpi krejtësisht të rrënuara nga zjarri. Rruga për në punë, e cila është një nga rrugët ku kanë ndodhur dëmet më të mëdha, ishte bllokuar. Njerëzit, të cilët ishin rreshtuar në rrugë me makinat e tyre, mundoheshin të hynin në lagjen ku ata banonin për të parë gjendjen në të cilën ndodheshin shtëpitë, por nuk lejoheshin, jo vetëm nga organet e policisë së qytetit, por dhe nga policia ushtarake që ndodhej aty për të ndihmuar në mbajtjen e rendit”.

Sipas të dhënave, rreth rreth 1 milion vetë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Punonjësit e emergjencës i bënë thirrje njerëzve të largoheshin nga zonat e rrezikuara, jo vetëm nga zjarret, por dhe si pasojë e ndotjes së ajrit.

Dajena Mason, një tjetër shqiptare me banim në zonën e San Diegos, mësuese në një shkollë të mesme, tha se edhe me dyer dhe dritare të mbyllura dhe me sistem filtrimi në shtëpi, përsëri ishte e vështirë të merrje frymë. Ajo, së bashku me familjen, u larguan nga shtëpia pa pritur urdhër ose thirrje për evakuim.

“Ne morëm vetë iniciativën sepse dëgjuam se disa nga fqinjët që nuk ishin as 100 metra larg, kishin marrë një telefonatë për t’u larguar. Kështu që në vendosëm që në vend që të prisnim sa të na telefononin, më mirë largoheshim vetë, pasi më vonë rrugët do të bllokoheshin sepse njerëzit do të largoheshin të gjithë në të njëjtën kohë”.

Shumë nga të evakuuarit janë duke qëndruar në stadiumin e qytetit të San Diegos, në një park ku zakonisht organizohen lojra të ndryshme, tek miq dhe të afërm. Sipas zonjës Mason dhe shkollat u kthyen në vende strehimi për banorët. Njëra prej tyre është shkolla ku ajo punon.

“Mendoj se do të jenë gati 1 500 vetë dhe shkolla filloi të mbushej parmbrëmë (të hënën), ndërsa dje (të martën) nga ora 2 e 30, 3.00 e mesditës shkolla kishte arritur maksimumin”.

Si pasojë e këtyre zjarreve kanë vdekur gjashtë vetë, njëri direkt nga zjarret ndërsa pesë të tjerë gjatë evakuimit. Po ashtu janë plagosur 40 të tjerë, midis të cilëve, 24 zjarrfikës. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Zhvarxeneger tha se rreth 68 mijë shtëpi ende janë të rrezikuara. Megjithëse zjarret kanë rënë disi, zonja Unwin dhe zonja Mason, banesat e të cilave deri tani nuk kanë qenë direkt të rrezikuara nga zjarret, thonë se situata është shumë e paqartë dhe ato janë ende me frikë se në çdo moment flakët mund të ndryshojnë drejtimin.

Presidenti Bush, me anë të një dokumenti, i ka deklaruar këto zona si zona të prekura nga katastrofa me përmasave të jashtëzakonshme, gjë që do të t’u garantojë atyre ndihma nga Qeveria Federale. Sot, pritet që Presidenti të vizitojë nga afër zonat e dëmtuara. //kk//

XS
SM
MD
LG