Lidhje

Bryce Canyon, shpellë pa tavan apo pyll thepash shkëmbore?


Bryce Canyon, shpellë pa tavan apo pyll thepash shkëmbore?
Bryce Canyon, shpellë pa tavan apo pyll thepash shkëmbore?

Parku kombëtar Bryce Canyon (Kanioni Brejs) është në kuptimin e vërtetë të fjalës unik dhe në asnjë vend tjetër të botës nuk gjen një pejsazh të ngjashëm. Por çfarë është Bryce Canyon? Shpellë pa tavan? Pyll gurësh? Edhe fjala kanion nuk është e përshtatëshme për përshkrimin e tij, pasi Bryce është formuar nga ciklet e ngricave dhe jo nga ndonjë rrjedhë lumi, madje nuk është as hon dhe as pllajë, por një pejsazh skulpturësh tepër tërheqëse të natyrës.

Një koridor tejet i gjerë në Amerikën Perëndimore, siç e quajnë atë studuesit e tokës, me Shkallët e Mëdha që janë formuar nga sedimentet gjeologjike gjatë 225 milion vjetësh e që shtrihen në jug, nga Utah në Arizona ... është parku kombëtar Bryce Canyon.

Shkallët e Mëdha janë shtresëzime gjeologjike shkëmbore në zbritje. Tabani i Kanionit të Madh mbështetet mbi shkëmbinj 1,5 miliard vjeçarë, ndoshta aq të vjetër sa edhe Toka vetë. Mbi të është kanioni Zion që në muret e tij prej guri mban gjurmët 70 milion vjeçare të zhvillimit të reptilëve.

Një nga shkallët e sipërme është shtresëzimi relativisht më ri, Bryce Canyon. Pjesa më e madhe e këtyre shkëmbenjve i përkasin erës sonë, epokës së mamalëve. Pra ky pejzazh i mrekullueshëm është pothuajse modern. Formacioni më i madh shkëmbor në Bryce Canyon u përket 60 milionë vjetëve të fundit.

Në fakt, Bryce nuk është aspak kanion, por një kompleks prej disa amfiteatrosh, çdo njeri prej të cilëve me dekorin e vet të punuar nga uji dhe akulli i shkrepave ngjyrë rozë të shtresëzimeve.

Të njejta foca uji, ngrice dhe akulli që krijuan Bryce Canyon, po e shkatërrojnë atë. Gryka e kanionit ngushtohet me rreth 30 centimetra çdo 50 vjet. Por në të njejtën kohë që këto figura guri që duke u gërryer përfundojnë në luginën nën to, forma të reja krijohen nga shtresat shumëngjyrëshe të shkëmbenjve sedimentarë.

Dikur gjithë ky masiv ishte zhavor, baltë dhe rërë e tabanit të një liqeni të madh. Por me kalimin e mijëvjeçarëve, mineralet dhe presioni i madh i lidhën këto elemente sëbashku në një shkëmb sedimentar 700 metra të lartë. Më tej, lëvizjet kolosale të kores së Tokës i tronditën bazamentin duke krijuar të çara që i lanë shtresat të ekspozuara ndaj elementëve të erozionit. Megjithëse ky proces filloi 60 milion vjet më parë, nga pikpamja gjeologjike kjo është një periudhë shumë e shkurtër.

Të shtunën e ardhshme, në rubrikën “Parqet Kombëtare të Amerikës”, do t’ju sjellim pamje nga “Petrified Forest”, Pylli i Ngurosur i Arizonës. Atje gjen drurët e shndëruar në gur, një galeri e vërtetë e artit natyror. Mund të thuhet se Pylli i Ngurosur i ngjan pamjes hënore por një hëne pa ngjyrë. “Parqet kombëtare të Amerikës” mund t’i gjeni edhe në YouTube.com/zeriamerikes.

XS
SM
MD
LG