Tërmeti i së martës në Shqipëri është ndjerë edhe në Kosovë udhëheqësit e së cilës u ofruan të mbështesin Shqipërinë për t’u përballur me pasojat e tij.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se ka biseduar me kryeministrin Edi Rama duke u shprehur ngushëllime për viktimat.
“Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, shkroi ai.
Presidenti Thaçi, shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, shkroi se “me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës.
Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre.
Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”.
Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të policisë së Kosovës u janë bashkuar autoriteteve në Shqipëri në operacionet e kërkim shpëtimit.
Lëvizja Vetëvendosje duke ngushëlluar familjet e viktimave dhe në mbështetje të të lënduarve e familjeve të mbetura pa strehë, tha se po mobilizohet për të ofruar ndihmë.
Solidariteti ndërkombëtar
Ambasada amerikane në Tiranë shkroi se “Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira”.
Duke shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se blloku “solidarizohet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile. Qendra për Emergjenca është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e saj.
Në selinë e NATO-s, flamuri i Shqipërisë është ulur në gjysmështizë.
Shtete të ndryshme janë ofruar menjëherë të ndihmojnë Shqipërinë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, njoftoi se nga Italia dhe Greqia janë nisur ekipe të specializuara të kërkim-shpëtimit.
“Presidenti Macron e Presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë. Ambasadat e BE-së dhe SHBA-ve kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë. Presidenti Thaçi, ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja. Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur në pikat ku kushtet janë më të rënda. Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, njoftoi se një skuadër speciale mbështetje për të dëmtuarit po niset drejt Shqipërisë dhe po njësoj, një tjetër skuadër mbështetëse nga Serbia e specializuar në raste emergjencash, po niset drejt vendit tonë, më komunikoi Presidenti Vuçiç. Kancelarja Merkel ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës në emergjencë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, dhe Kryeministri i Bullgarisë, Borisov, shprehën gatishmërinë për të aktivizuar mekanizmat e tyre të ndihmës”, njoftoi kryeministri Edi Rama.
Presidenti Ilir Meta nga ana e tij bëri të ditur se ka patur një bisedë telefonike me Komisionerin e BE-se për Çështjet e Brendshme, z.Dimitris Avramopoulos, i cili “i shprehu Presidentit Meta solidaritetin dhe gatishmërinë e strukturave te emergjencave civile europiane për të ndihmuar Shqipërinë”.
Më pas ai ka patur një bisedë telefonike me Komisionerin për Ndihmat Humanitare dhe Emergjencat, Christos Stylianides, i cili “i shprehu Presidentit Meta ngushëllimet si dhe angazhimin e tij dhe të Komisionit Evropian për të aktivizuar sa më shpejt ndihmat humanitare për Shqipërinë në bazë të kërkesave specifike të autoriteteve shqiptare”.
Në mesditë kryeministri Edi Rama njoftoi se pritet brenda pak orëve të mbërrijnë ekipe të specializuara nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi.
Facebook Forum