Lidhje

BE: Thaçi, Daçiç, marrëveshje tjetër pas zgjedhjeve


Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme Catherine Ashton tha dje në Uashington se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë duan të realizojnë një marrëveshje të dytë pas zgjedhjeve komunale të 3 nëntorit. Në një diskutim në Qendrën Woodrow Wilson, ku u trajtuan çështje të ndryshme, zonja Ashton komentoi mbi ecurinë dhe pritshmëritë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha se zgjedhjet e 3 nëntorit janë një mundësi e rëndësishme në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ashton në Qendrën Wilson
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00
“Për herë të parë kemi Serbinë që vërtet po i kërkon popullatës serbe në veriun e Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që në vitin 1999. Të dy kryeministrat janë duke i kërkuar njerëzve të marrin pjesë në të njëjtat zgjedhje dhe janë duke bashkëpunuar që këto zgjedhje të kenë sukses.”

Zonja Ashton tha gjithashtu se kryeministrat Thaçi e Daçiç synojnë arritjen e një tjetër marrëveshjeje pas zgjedhjeve komunale të Kosovës.
“Për më tepër, ata duan të arrijnë një marrëveshje të dytë pas zgjedhjeve. Prandaj mendoj se jemi në rrugën e duhur.”

Por shefja e politikës së jashtme të BE-së nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e mundshme të kësaj marrëveshjeje.

Drejtoresha e Qendrës Woodrow Wilson Jane Harman vlerësoi punën e zonjës Ashton në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se asaj i takonte merita kryesore në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
“Para së gjithash, nuk më takon mua merita kryesore. Ishin ata që e bënë këtë të mundur. Ne i ndihmuam, por ishin dy kryeministrat ata që u treguan të gatshëm të pranonin rreziqet dhe të uleshin në bisedime me mua në zyrën time.”

Udhëheqësja e politikës së jashtme të BE-së Ashton shtoi se, edhe pse ndoshta Serbia dhe Kosova mund të kishin nisur negociata të tilla edhe pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ajo mendonte se perspektiva e anëtarësimit në këtë organizatë ka shërbyer si element inkurajues i këtyre bisedimeve, “pasi në fillim, duke patur parasysh historinë, shumë vetë nuk ishin të sigurt lidhur me zhvillimin e bisedimeve dhe ndërtimin e marrëdhënieve të forta mes dy vendeve”.
“Ata pranuan të bisedonin me njëri-tjetrin, sepse të dy e dinë që e ardhmja e popujve të tyre nuk gjendet tek vështrimi drejt së shkuarës. E vetmja gjë që ata mund të bëjnë është të ecin përpara. Ne jemi të interesuar për ta pasi të dyja vendet duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe ata padyshim duhet të jenë pjesë e Bashkimin Evropian.”

Ndërsa pranoi se mbetet ende punë për t’u bërë në terren, zonja Ashton përmendi rastin e vrasjes së anëtarit të EULEX-it në veri.
“Ne humbëm një nga oficerët tanë vetëm pak ditë më parë, një nëpunës të doganave nga Lituania i cili u vra në një sulm me armë zjarri. Dhe kjo ngjarje na rikujtoi sesa e rrezikshme është ende situata në disa zona të veriut të Kosovës. Personi i parë që më telefonoi me një zë të trishtuar, ishte kryeministri i Serbisë dhe ata po punojnë ngushtë me ne në përpjekje për të sjellë autorët para drejtësisë.”

Gjatë diskutimit, vëmendja kryesore iu kushtua zhvillimeve të fundit diplomatike mes Iranit dhe Perëndimit. Lidhur mbi gjasat e një marrëveshjeje për ndalimin e përpjekjeve të Iranit për të ndërtuar armë bërthamore dhe mbi nevojën e përdorimit të sanksioneve ndërkombëtare gjatë negociatave, zonja Ashton tha Irani duhet të provojë se është i gatshëm të veprojë konkretisht në mënyrë diplomatike.
“Nëse mund të gjejmë një zgjidhje diplomatike për këtë çështje ne duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi, por duhet të veprojmë duke mbajtur të paprekura principet dhe vendosmërinë tonë. Prandaj ne kemi ndjekur një qasje me dy binarë paralelë, duke dashur që të gjejmë një zgjidhje diplomatike, por duke qenë të gatshëm për të ushtruar trysni për të bërë që diplomacia të funksionojë.”

Në diksutim, i cili përfundoi me disa pyetje nga publiku, u fol gjithashtu për çështje të tjera si gjendja në Siri dhe nevojat e refugjatëve sirianë, situata politike në Egjipt, apo dhe çështja e mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Maqedonisë, për të cilën zonja Ashton duke marrë si shembull bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë tha se roli kryesor në zgjidhjen e saj i takon kryeministrave të dy vendeve.
XS
SM
MD
LG