Lidhje

Lajçak: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi pa Asociacionin e komunave serbe


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten se nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh ndërmjet të dyja palëve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zoti Lajcak i bëri këto komente në përmbyllje të vizitës së tij në Prishtinë, në një periudhë kur vazhdimi i procesit të bisedimeve mbetet i paqartë pikërisht për shkak mospajtimeve rreth këtij Asociacioni.

Lajçak: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi pa Asociacionin e komunave serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:01 0:00

“Kosova ka premtuar përkushtimin e saj, Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen, parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar atë, kështu që Kosova duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe është pjesë e procesit, është pjesë e negociatave. Kështu që, kur disa politikanë po thonë se çështja është e mbyllur, do të thotë se ata nuk dëshirojnë të hapin tekstin dhe ne nuk po kërkojmë të hapim tekstin, ne po kërkojmë zbatim”, tha ai.

Zoti Lajçak the se e kupton ndjeshmërinë e kësaj çështjeje dhe faktin që në Kosovë është marrë me shumë emocion, por theksoi se Gjykata Kushtetuese në opinionin e vitit 2015 për Asociacionin nuk ka thënë se i njëjti nuk duhet të krijohet fare.

Gjykata ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës, kështu që hapi i radhës duhet të jetë diskutimi mbi statutin dhe kjo është çka ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, marrëveshja do të filloj së zbatuari pas nënshkrimit. Kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit do të fillojë pas nënshkrimit të marrëveshjes, por hollësitë e marrëveshjes duhet të jenë pjesë e negociatave sepse nuk mund të lejojmë asnjë paqartësi të mbetet deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes”, tha ai.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013.

Por, zoti Lajçak tha sot se politikanët serbë nuk kanë nevojë të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, sepse zyrtarë të kësaj të fundit janë pajtuar gjatë takimeve me të se do të diskutojnë për Asociacionin.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Mustafa: BE-ja është zotuar se Asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, shkroi të enjten në llogarinë e tij në facebook se gjatë takimit me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka prezantuar një letër të 24 gushtit të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga ish shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini lidhur me asociacionin.

“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive”, thuhet në tekstin e letrës të publikuar nga zoti Mustafa.

Me tej ai shkruan se “këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga Vetëvendosje dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër qeverisë që e drejtoja”.

Marrëveshja për asociacionin ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në vitin 2013, ndërsa më 25 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia u morën vesh për “çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Në Kosovë opozita u hodh në protesta ndaj marrëveshjes për asociacionin në të cilën Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje të shumta.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha të enjten mbrëma pas takimit me zotin Lajçak se thelbi i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ishte themelimi i asociacionit.

"Tani do t'ju jap një akt, për të cilin flitet pak dhe, deri më tani, askush nuk e ka parë në opinionin serb. Ky është një plan për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila përbëhet nga gjashtë elemente. Pika e parë - rregullimi i kuadrit ligjor, pika dy - Asociacioni pika tre - policia, pika katër - gjyqësori, pika pesë - zgjedhjet lokale, pika gjashtë - dispozitat e përgjithshme", tha ai duke vënë theksin tek ndryshimet kushtetuese.

Zoti Lajçak i cili në mbrëmje shkoi në Beograd tha se askush nga bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë nuk ka thënë se nuk do të përmbushet detyrimet.

Në fakt, në të gjitha ato takime u tha qartë - çfarë pranuam, çfarë premtuam - duhet të përmbushet duke përfshirë asociacionin. Dhe së dyti, çështja e Kushtetutës - qëndrimi ynë është që ne po negociojmë për procese kaq serioze, saqë është logjike që edhe Kushtetuta do të duhet të ndryshojë. Dhe këtu askush nuk më tha se ishte e pamundur. Prandaj, Kushtetuta nuk është Bibla e Shenjtë", tha ai.

Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit të martën me zotin Lajçak tha se Kosova ka marrë garanci dhe mbështetje nga partnerët e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Analistët në Prishtinë thonë se vazhdimi i bisedimeve mbetet i paqartë dhe se kërkesa për të diskutuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet sfidë e madhe, e cila mund të diskutohet vetëm në funksion të njohjes së ndërsjellë Kosovë -Serbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG