Lidhje

Presidenti Macron priti kryeministrin e Kosovës


France/Kosovo
France/Kosovo

Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti sot në Paris kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, takimi i parë në kuadër të zhvillimeve të kësaj jave që pritet të shënojë rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Hoti shkroi se “marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës. Biseduam edhe për nevojën e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët”.

Franca, shkroi ai, “mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

Të enjten presidenti Macron do të presë në Paris edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të premten presidenti Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojne një video konferencë me kryeministrin Hoti dhe presidentin serb Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.

Por çfarë mund të pritet nga rifillimi i këtyre bisedimeve?

Analistët politikë në Kosovë thonë se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përmbushë synimin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se problemi qëndron te vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Jeta Krasniqi
Jeta Krasniqi

BE-ja në vetvete përfaqësohet nga politika e jashtme e përbashkët nëpërmjet përfaqësuesit të lartë, por e dimë që rol primar dhe kryesor edhe në politikë të jashtme kanë shtetet anëtare. Duke qenë se BE-ja e ka ndërlidhur çështjen e bërjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë edhe me procesin e zgjerimit dhe ofrimit të perspektivës evropiane për të dyja këto vende, është mese e nevojshme që shtetet anëtare t’i japin një mbështetje më të madhe këtij procesi, që shkon përtej vetëm lehtësimit të thjeshtë të procesit por të ofrohen garanci”, tha ajo në një bisedë për Zërin e Amerikës.

Zonja Krasniqi tha se ndryshimi i qasjes së shteteve jo njohëse duhet të bëhet përmes angazhimit më të madh të dy fuqive më të mëdha evropiane, Francës dhe Gjermanisë.

Eurodeputetët i shkruajnë presidenti Macron – liberalizoni vizat për Kosovën

Dyzetedy deputetë të Parlamentit Evropian u bënë thirrje të martën presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, që të mos bëhen pengesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Franca dhe Holanda konsiderohen ndër frenueset e vendimit për këtë çështje.

Në letrën e deputetëve thuhet se “Bashkimi Evropian është duke u përpjekur që të luaj rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në bisedimet Kosovë – Serbi. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur nëse ne vazhdojmë t’i trajtojmë qytetarët e këtyre dy vendeve në mënyra të ndryshme, duke u ofruar udhëtim të lirë qytetarëve të Serbisë dhe duke u vendosur pengesa për të gëzuar të njëjtën mundësi atyre të Kosovës”, thuhet në letër të në të cilën theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një arritje e shumëpritur në rrugën e këtij shteti drejt integrimeve evropiane. Përmbushja e premtimeve ka ndikim në mënyrën se si perceptohet BE-ja nga fqinjët tanë të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Sa më gjatë ta zvarrisim vendimin pozitiv rreth kësaj çështjeje, aq më shpejt do ta humbim besueshmërinë tonë në këtë shtet dhe rajon në tërësi”.

Më 27 qershor, një grup deputetësh të Parlamentit Evropian kërkoi nga kancelarja gjermane Angela Merkel, që të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën deri në fund të këtij viti. Gjermania aktualisht mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian.


Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave u bë në prag të takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që planifikohej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se në fakt procesi i bisedimeve më lehtë mund të përmbyllet në Washington.

Arton Demhasaj
Arton Demhasaj

Të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel pjesa më e madhe e tyre nuk zbatohen dhe nuk ka trysni nga BE-ja për zbatimin e tyre. Kjo për shkak se në Bruksel nuk vendos vetëm një qendër por janë 27 vende anëtare që kanë ndikim në vendimmarrje dhe kjo e bën më të pafavorshëm Brukselin për dialog. Washingtoni e ka dozën e presionit shumë më të madhe dhe mund ta përdor atë dhe t’i obligojë shtetet në zbatimin e çfarëdo marrëveshje që del nga dialogu”, thotë ai.

Një gjë është mese e qartë që duhet të ketë një bashkërendim dhe një mbështetje të SHBA-ve për këtë proces. Posaçërisht duke e parë që vet BE-ja është e ndarë rreth pozicionit të saj kundrejt Kosovës dhe duke e ditur historikun e zhvillimeve të të gjitha proceseve negociatore nëpër të cilat Kosova dhe Serbia kanë kaluar. Pa Shtetet e Bashkuara vështirë të shihet se si mund të arrijmë edhe në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara që është qëllim i Kosovës”, thotë zonja Krasniqi.

Vëzhguesit thonë se zhvillimet e fundit pasqyrojnë mungesën e një bashkërendimi transatlantik rreth Kosovës dhe publikimi i akuzave në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë, ishte goditje ndaj nismës amerikane për rifillimin e bisedimeve.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh pjesa më e madhe e të cilave nuk janë zbatuar deri tani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG