Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Kina befasojnë me një deklaratë të përbashkët për klimën


.
.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina befasuan takimin botëror për klimën COP26, që po mbahet në Glasgou, me një deklaratë të përbashkët, në të cilën zotohen se do të ndërmarrin veprime për të kufizuar ngrohjen globale gjatë dekadës së ardhshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina befasojnë me një deklaratë të përbashkët për klimën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Deklarata u bë ndërsa delegatët hynë në orët e fundit të negociatave për të rënë dakord mbi një tekst përfundimtar të konferencës, që do të përkufizojë se si bota do të kufizojë ngrohjen globale në më pak se 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në botë dhe shkencëtarët thonë se veprimet e tyre në të ardhmen, janë thelbësorë për luftën kundër ndryshimeve klimatike. Mungesa e udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në takim javën e kaluar, u kritikua ashpër nga presidenti amerikan, Joe Biden.

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry, u tha gazetarëve në Glasgou të mërkurën se deklarata e përbashkët mbështetet në deklaratat e bëra nga të dy vendet në muajin prill.

“Ne shprehëm gjithashtu një dëshirë të përbashkët për sukses në këtë konferencë, për zbutjen, përshtatjen, mbështetjen dhe sinqerisht, për të gjitha çështjet kryesore që do të çojnë në rritjen e ambicies së botës dhe aftësisë për të trajtuar këtë krizë. Tani, me këtë njoftim, ne kemi arritur në një hap të ri, një udhërrëfyes për bashkëpunimin tonë të tanishëm dhe të ardhshëm për këtë çështje", tha zoti Kerry në një konferencë me gazetarë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk kanë mungesë të dallimeve, por në lidhje me klimën, bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të bërë punë. Kjo nuk është një çështje e ‘zgjedhjes së lirë”, sinqerisht. Kjo është shkencë. Janë matematika dhe fizika që diktojnë rrugën që duhet të ndjekim”, shtoi zoti Kerry.

Kryenegociatori i Kinës për klimën, Xie Zhenhua, u bëri jehonë këtyre qëndrimeve.

"Ndryshimi i klimës është një sfidë, një sfidë e përbashkët, me të cilën përballet njerëzimi", u tha zoti Xie gazetarëve. "Ajo ndikon në mirëqenien e brezave të ardhshëm. Tani, ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më urgjente dhe të rënda, duke e bërë atë nga një sfidë e së ardhmes në një krizë ekzistenciale. Në fushën e ndryshimeve klimatike, ka më shumë marrëveshje midis Kinës dhe SHBA-së sesa dallime, duke e bërë atë një hapësirë me mundësi të mëdha për bashkëpunimin tonë”, tha ai.

Ndër zotimet e përbashkëta janë bashkëpunimi për kontrollin e emetimeve të metanit, trajtimin e shpyllëzimit të paligjshëm, rritjen e prodhimit të energjisë së ripërtërishme dhe përshpejtimin e mbështetjes financiare për vendet më të varfra. Por, deklarata nuk përfshinë shumë data apo synime të veçanta.

Reagime të kujdesshme

Pas deklaratës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shkroi në Twitter se e mirëpret marrëveshjen midis Kinës dhe SHBA-së për të punuar së bashku dhe për të ndërmarrë veprime më ambicioze në këtë dekadë. “Trajtimi i krizës klimatike kërkon bashkëpunim dhe solidaritet ndërkombëtar dhe ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, shkroi ai.

Veprimtarët e luftës kundër ndryshimeve të klimës ishin të kujdesshëm në vlerësimin e tyre.

“Ky njoftim vjen në një moment thelbësor të COP26 dhe ofron shpresë të re se me mbështetjen e dy prej zërave më kritikë në botë, ne mund të jemi në gjendje të kufizojmë ndryshimin e klimës në 1.5 gradë", tha Genevieve Maricle, drejtore e politikës së klimës në SHBA.

Fondi Botëror i Kafshëve të Egra, shkroi në një reagim me shkrim për Zërin e Amerikës se “ne duhet të jemi gjithashtu syçelë për të ditur se çfarë kërkohet ende nëse të dy vendet duan të ofrojnë kufizimet e nevojshme të emetimeve në nëntë vitet e ardhshme. Përmbushja e synimit për 1.5 shkallë celsius do të kërkojë një përgjigje të të gjithë ekonomisë".

Vrull i ri

Deklarata e përbashkët u ka dhënë një vrull të ri negociatave ndërsa delegatët përpiqen të bien dakord për një tekst përfundimtar, deri në mbyllje të konferencës të premten. Teksti përfshinë hollësi se si palët do të kufizojnë ngrohjen globale në jo më shumë se 1.5 gradë celsius në temperaturat mesatare të tokës mbi nivelet para-industriale – qëllim për të cilin u ra dakord në takimin mbi klimën në Paris në vitin 2015.

Projekt teksti i parë, i publikuar të mërkurën, u kërkon vendeve të "rishikojnë dhe forcojnë" qëllimet e tyre për uljen e emetimeve përpara fundit të vitit 2022. Ai thotë se vendet e pasura duhet të shkojnë përtej premtimit për t'u paguar kombeve më të varfra 100 miliardë dollarë në vit. Teksti u bën thirrje qeverive të heqin dorë nga qymyri dhe lëndët djegëse fosile, por pa data të caktuara.

Organizatori i konferencës, kryeministri britanik, Boris Johnson, u bëri thirrje delegatëve që të "shfrytëzojnë mundësinë".

“Tani po zbulojmë se gjërat janë të vështira, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur. Kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të mbajmë gjallë synimin për 1.5 shkallë celsius”, tha kryeministri Johnson. “Mendoj se me energji dhe përkushtim të mjaftueshëm dhe me udhëheqësit nga e gjithë bota që tani thërrasin negociatorët e tyre dhe u kërkojnë atyre të lëvizin në mënyrat që ata e dinë se mund të lëvizin dhe duhet të lëvizin, unë ende mendoj se ne mund ta arrijmë atë. Por, unë nuk do të pretendoj në asnjë mënyrë se është një punë e kryer”, tha ai.

Jennifer Morgan, drejtore ekzekutive e Greenpeace International, i tha Zërit të Amerikës se gjuha e tekstit ishte e zbehtë.

“Ky nuk është një plan për të trajtuar emergjencën klimatike. Është paksa si një premtim, një shkelje syri dhe një shpresë", tha zonja Morgan. "Vendet duhet të angazhohen për të rritur dhe forcuar synimet dhe veprimet e tyre. Teksti përfshin synimin që qymyri të hiqet gradualisht dhe subvencionet e karburanteve fosile të hiqen gradualisht. Unë mendoj se në mënyrë optimale, ju duhet të kishit datat në të cilat ato do të hiqeshin gradualisht, por është e rëndësishme që ato të jenë aty”.

Financimi i kombeve të varfra

Delegatët po negociojnë gjithashtu se sa dhe sa shpejt, vendet më të pasura duhet t'i paguajnë vendet më të varfra për t'i ndihmuar ata të përballen me ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe që ekonomitë e tyre të kufizojnë emetimet e karbonit Ndonëse vendet më të pasura janë përgjegjëse për shumicën e emetimeve të gazrave serrë, vendet në zhvillim priren të vuajnë më shumë nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Një zotim i bërë për herë të parë në vitin 2009 nga vendet më të pasura për të paguar 100 miliardë dollarë në vit - dhe i përtërirë në takimin e Parisit në vitin 2015, ende nuk është përmbushur.

“Është shumë zhgënjyese të shohësh vende që kanë kaluar gjashtë vjet duke i rrahur shpatullat vetes për nënshkrimin e atij zotimi në Paris, tani rrëshqasin drejt mospërmbushjes së tij kur kombet e cenueshme dhe brezat e ardhshëm po kërkojnë pagesën këtu, tani në Glasgou”, tha kryeministri Johnson të mërkurën.

XS
SM
MD
LG