Lidhje

Bushati: Anëtarësimi në BE, prioritet i politikës së jashtme


Në Nju Jork ndodhen këto ditë udhëheqës nga vende të ndryshme të botës, për të marrë pjesë në sesionin e 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që i fillon punimet të martën. Atje ndodhet edhe një delegacion i Shqipërisë i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i cili do të flasë para asamblesë të shtunën. Zëri i Amerikës realizoi sot një intervistë nga selia e Kombeve të Bashkuara, me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Intervistë me ministrin Ditmir Bushati
please wait

No media source currently available

0:00 0:11:26 0:00


Zëri i Amerikës: Mirëmbrëma zoti ministër!

Ditmir Bushati: Përshëndetje.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, së bashku me kryeministrin Edi Rama ju patët një vizitë në Bruksel javën e kaluar. Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, theksoi se prej Shqipërisë priten në veçanti hapa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ajo të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor. E njëjta gjë u theksua sot edhe në takimet që ambasadori amerikan zhvilloi me zyrtarët në Tiranë siç sapo e dëgjuam. A e shihni të realizueshëm këtë objektiv, duke qenë se edhe koha, siç theksoi zoti Barroso, nuk pret?

Ditmir Bushati: Ky është një objektiv i realizueshëm, pavarësisht faktit që dhjetori është shumë pranë nesh, por është bërë i njohur fakti që integrimi evropian dhe më specifikisht, arritja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i biesedimeve për anëtarësim është një objektiv madhor për qeverinë ku unë bëj pjesë, dhe është njëkohësisht prioritet i politikës së jashtme. Pra është një çështje që është e mundshme dhe ne do të dedikojmë të gjithë vullnetin e duhur dhe të gjitha kapacitetet për ta përmbushur më së miri këtë objektiv.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, marrja e statusit të vendit kandidat është një hap përpara, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është ajo që krijon një marrëdhënie të re me Brukselin. A ka një objektiv qeveria juaj se kur mendon se mund të arrijë hapjen e këtyre bisedimeve?

Ditmir Bushati: Absolutisht, ju falenderoj për pyetjen. Objektivi konkret është fillimi i bisedimeve për anëtarësim, ose thënë ndryshe, rekomandimi nga ana e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe ne do të punojmë për ta afruar sa më shumë që të jetë e mundur këtë datë, dhe për të filluar menunë e diskutimeve serioze me Bashkimin Evropian, mbi të gjitha kapitujt e “acquis communitaire”, që do të përktheheshin standarte të prekshme nga qytetarët shqiptarë dhe jo thjesht miratim ligjesh.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, ashtu si qeveritë e mëparshme të Shqipërisë, edhe qeveria aktuale e konsideron Greqinë një partner strategjik. Megjithatë, marrëdhëniet me këtë shtet fqinj, kanë kaluar shpesh situata të acaruara. Janë të paktën dy raste që kanë kontribuar në këtë acarim, ai i kufijve detarë dhe ai i kishës ortodokse në Përmet, madje për këtë të fundit, Tirana e konsideroi reagimin e Athinës si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Cili është qëndrimi i qeverisë suaj për këto dy raste?

Ditmir Bushati: Për fat të keq, me fqinjin tonë, Greqinë, periudha e fundit është karakterizuar nga një lloj menaxhim krizash në kufi apo, për raste të tjera që kanë ndodhur në territorin shqiptar, ndërkohë që ne presim që ta ngremë ambicien me Greqinë, të hapim një kanal komunikimi; çështjet që janë ende pjesë e axhendës dhe nuk janë adresuar, të marrim një trajtim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në përputhje me rregullat e themeluara të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe gjithashtu, duke patur parasysh aspiratën tonë për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane. Gjeografia nuk është një opsion dhe kur vjen puna tek fqinjët, ne jemi të detyruar të bashkëjetojmë dhe të bashkëndajmë fatin tonë. Kjo qeveri do të jetë shumë e qartë në hapat që do të ndërmarrë, për të përmirësuar në mënyrë radikale marrëdhëniet me të gjithë fqinjët tanë, sepse siç është bërë e ditur nga kryeministri, një nga motot e politikës sonë të jashtme është që të ketë zero probleme me fqinjët.

Zëri i Amerikës: A synon qeveria Rama të hapë bisedime me Greqinë për kufirin detar të Shqipërisë?
Ditmir Bushati: Qeveria jonë, në raport me Greqinë ka disa tema, të cilat janë mbartur me vite, apo me dekada dhe të gjitha këto çështje do të duhet të bëhen pjesë e një diskutimi serioz me palën greke, të një diskutimi që mban në vëmendje qartësisht të drejtën ndërkombëtare, që mban në vëmendje praktikat më të mira, të marrë parasysh traditat më të mirë të së drejtës ndërkombëtare, politikës së fqinjësisë së mirë dhe së ardhmes sonë evropiane. Në këtë pikëpamje, mund t’ju them që ka një gadishmëri të plotë të qeverisë sonë për të hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me Greqinë, duke respektuar, e rithkesoj, parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, mes partnerëve strategjikë tradicionalë të vendit, këtë herë qeveria e re ka përfshirë edhe Turqinë. Ku e bazoni këtë dhe a pritet të shohim një intensifikim të lidhjeve dy palëshe dhe në se po, në çfarë fushash?

Ditmir Bushati: Përsa i përket rajonit, qeveria ka nominuar të themi si një marrëdhënie më strategjike, Italinë, Turiqnë dhe Greqinë dhe vizitat tona para se të merrnim detyrën zyrtarisht janë përqëndruar kryesisht në këto vende. Turqia përbën një realitet të ri në rajon, ka qenë një nga vendet mbështetëse për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është një vend që ka një peshë të caktuar specifike në rajoin e Ballkanit dhe madje edhe në zonën Mesdhetare; është një lloj ure lidhëse mes botës arabe dhe Lindjes së Mesme dhe Ballkanit Perëndimor, është një nga pikat kryesore, le të themi për investime në këtë zonë. Në këtë kontekst, ne kemi hapur një kanal të ri komunikimi edhe me qeverinë turke dhe dëshirojmë që të kemi një intensifikim të marrëdhënieve edhe me Turqinë. Ka patur shumë spekulime në këtë drejtim. Marrëdhëniet tona strategjike me Italinë, Greqinë dhe Turqinë nuk janë as marrëdhënie rivaliteti, as marrëdhënie që përjashtojnë njërin, apo tjetrin vend; janë marrëdhënie përplotësuese, në funksion të jetësimit të aspiratës sonë si një vend anëtar i NATO-s, me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plotë në Ballkanin Perëndimor dhe si një vend i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, pas takimit që patët me ambasadorin amerikan Alexandër Arvizu, ju u shprehët se i keni kërkuar ekspertizë amerikane për t’u atashuar, apo për të bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të ndihmuar një projektimin edhe më të mirë të Shqipërisë në rajon. Përse e shikoni të nevojshme ekspertizën e huaj për politikat e jashtme të vendit dhe çfarë ndihme keni kërkuar më konkretisht?

Ditmir Bushati: Së pari, duhet të përcaktojmë se çfarë konsiderojmë ekzpertizë të huaj. Po i kërkojmë ekspertizë partnerit tonë strategjik, që lindja e shtetit shqiptar dhe të gjitha zhvillimet e rëndësishme të shtetit shqiptar janë pazgjidhshmërisht të lidhura me të. Së dyti, kemi një realitet të ri në rajon, pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s në hapësirën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe që kërkon të luajë një rol të ri. Së treti, kemi një situatë të re rajon pas marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, që imponohet dhe kërkohet që të kemi një realitet të ri. Së katërti, me keqardhje e them, që në shkuarën ka patur luhatje në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka patur insinuata të ndryshme dhe nuk ka patur një nivel bashkëpunimi politik, apo konsultimi dhe ekspertize për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rajonin. Në këtë pikëpamje i kam kërkuar zyrtarisht qeverisë së SHBA, përmes përfaqësuesit të Presidentit të SHBA në Tiranë, që të kemi një asistencë të vazhdueshme nga pala amerikane, që do të na ndihmonte jo vetëm për të patur një nivel bashkëpunimi strategjik; në nivel konsultimesh për qëndrimet që duhet të mbahen jo thjesht në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare, që do të duhet të kishim mbështetjen e SHBA për teknikat e reja të diplomacisë publike, dhe për një projektim sa më të mirë të faktorit shqiptar, faktorit stabilizues dhe paqësor shqiptar në rajon.

Zëri i Amerikës: Më duhet të them se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të shkëlqyera, kam parasysh fjalën vitin e kaluar të Sekretares Clinton në parlamentin e Shqipërisë...

Ditmir Bushati: Marrëdhdëniet mes SHBA dhe Shqipërisë kanë qenë të shkëlqyera, por luhatje kanë patur, sepse ne të gjithë jetojmë në Shqipëri dhe të gjithë kemi ndjekur opinionet e shprehura në publik për qëndrime të caktuara të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, sikundër retorika nacionaliste e vitit të fundit, e cila e ka dëmtuar kredibilitetin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë. Prandaj, ne duam që të kemi një situatë të re, një marrëdhënie të re, e cila nuk është thjesht e karakterit politik, por është e karakterit strategjik dhe e cila përpunohet me nivel ekpertize të politikës së jashtme, që do ta ndihmonin Shqipërinë, për të patur një kurs sa më konstruktiv, sa më demokratik dhe sa më inspirues në rajon. Le të mos harrojmë, që SHBA kanë qenë sponsori kryesor i shtetit shqiptar dhe kanë qenë një sponsor kryesor për të patur një Shqipëri sa më demokratike dhe sa më inspiruese në rajon, në radhë të parë për shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, dhe në radhë të dytë, për të dhënë kontributin e tyre, që rajoni të përshpejtojë ritmin drejt anëtarësimit në BE.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, kam edhe një pyetje të fundit, në programin e qeverisë, thuhet se ju do të racionalizoni përfaqësimin diplomatik në botë. A pritet një shkurtim i numrit të ambasadave?

Ditmir Bushati: Shkurtimi i numrit të ambasadave do të ishte një menu e thjeshtëzuar për të racionalizuar shërbimin e jashtëm sot për sot. Ne jemi në kontakte me Shërbimin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Baronesha Ashton ka shprehur gjithë mbështetjen e saj për të na mbështetur për këtë projekt të rëndësishëm; vendi është përballë disa sfidave të mëdha, pas marrjes së statusit të vendit kandidat me fillimin e bisedimeve për anëtarësim i gjithë shërbimi me jashtë duhet që të strukturohet në funksion të këtij objektivi kombëtar. Është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar, që kërkon një ekstrenalizim të suksesshëm, por edhe reforma të brendshme, pra janë të dyja dimensionet. Në këtë kuptim, racionalizimi i prezencës sonë në botë, i mënyrës e si do të ushtrojmë diplomaci, i shërbimeve, i teknikave, i të gjitha këtyre çështjeve, do të duhet që të shikohet me një sy sa më gjakftohtë dhe do të duhet që të mos jetë një produkt shqiptar “bio”, por të jetë në bashkëveprim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në rastin në fjalë, me Shërbimin Evropian për Marrëdhënie me jashtë, që ka një ekspertizë solide në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, ju faleminderët për intervistën.

XS
SM
MD
LG