Lidhje

Largohet edhe një grup i afganëve të strehuar përkohësisht në Kosovë


Autoritetet në Prishtinë njoftuan të dielën se një grup prej 51 shtetasish afganë të strehuar përkohësisht u larguan nga Kosova.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha në një postim në llogarinë e tij në Facebook, se si pjesë e marrëveshjes me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grupi prej 51 afganësh do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera”, thuhet në postimin e ministrit Sveçla.

Ky është grupi i dytë i shtetasve afganë që po largohen nga Kosova. Të enjtën një grup prej 117 shtetasish afganë u larguan për në Britaninë e Madhe.

Të larguarit e sotëm janë në mesin e gati një mijë shtetasve afganë të cilët janë strehuar në Kosovë që nga fundi i muajit të kaluar, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve në Kosovë shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Refugjatët afganë po qëndrojnë në dy kampe në qytetin e Ferizajt, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit. Rreth 800 prej tyre në ish kampin e kompanisë amerikano-turke, Bechtel-Eenka, si dhe një pjesë e vogël në kampin e trupave amerikane, Bondsteel.

Autoritetet në Kosovë janë zotuar të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë shtetas afganë, derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG