Lidhje

Kosova në zi për Shqipërinë


E mërkura në Kosovë është ditë zie, në nderim të viktimave të tërmetit në Shqipëri.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Autoritetet e sigurisë dhe të emergjencave të Kosovës po vazhdojnë veprimtaritë në mbështetje të autoriteteve në Shqipëri në tejkalimin e pasojave të një dite më parë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot në ceremoninë e Ditës së Forcës së Sigurisë se Kosova dhe bota po solidarizohen në mënyrë të paparë për tragjedinë që ndodhi në Shqipëri.

“Edhe njëherë nga këtu ku jemi sot, u japim kurajo ushtarëve tanë në Shqipëri, kontigjentit që është pjesë e operacionit humanitar dhe në ndihmë të autoriteteve shqiptare për të sanuar dëmet dhe për të mbështetur në tejkalimin e situatës. Jemi bashkë, ashtu siç kemi qenë gjithmonë, siç kanë qenë brezat para nesh bashkë në ditë të vështira dhe në ditë të mira, gjithmonë përkrahë njëri tjetrit, gjithmonë bashkë Shqipëria dhe Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj tha se Ushtria e Kosovës është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon dhe botë dhe këtë sipas tij e dëshmoi një ditë më parë.

“Dje, Ushtria e Kosovës me vendim të institucioneve të vendit shkoi në Shqipëri në bazë të Ligjit për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit për kërkim dhe shpëtim, si dëshmi se jemi të vlefshëm për vendin, për bashkëkombësit tanë, por edhe për tërë rajonin për çfarëdo emergjencash të çfarëdo natyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë është hapur libri i zisë për viktimat e tërmetit. Kandidati për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti pas nënshkrimit në librin e zisë lavdëroi punën e ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e shpëtimit në Shqipëri.

“Po bëjnë gjithçka që është e mundur që edhe t’i çlirojnë njerëzit nga gërmadhat por edhe mbarë kombin tonë nga ankthi për fatin e atyre shqiptarëve të cilat kanë me tonelata beton në kokat e trupat e tyre. Me këtë rast i shprehë ngushëllime familjeve të viktimave”, tha zoti Kurti.

Edhe sot, qytetarë të shumtë, ndërmarrjet dhe partitë politike po vazhdojnë mbledhjen e ndihmave të ndryshme për t’i dërguar në Shqipëri në mbështetje të viktimave të tërmetit. Tashmë grupe qytetarësh nga Shqipëria kanë mbërritur në Kosovë për t’u strehuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG