Lidhje

Kosovë: Kryeministri në vetizolim


Kosovë: Kryeministri në vetizolim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Të hënën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga sot do të jetë në vetizolim. Në një njoftim në llogarinë e tij në facebook ai shkroi se “një zyrtar i ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në këtë ministri dhe në zyrën e kryeministrit, , ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga ministria e Integrimeve Evropiane”, shkroi ai.

Vetizolimi i kryeministrit pasoi njoftimet e së dielës mbrëma për 14 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, që shënoi edhe numrin më të madh të rasteve të konfirmuara në një ditë që nga fillimi i muajit maj.

Rastet e reja e çuan në 884 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga të cilët 28 kanë humbur jetën, ndërsa 655 janë shpallur të shëruar.

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes Skype-it se çdo vend i botës përfshirë edhe Kosovën është në rrezik prej virusit për shkak të zbutjes së masave kufizuese.

Rastet ditëve të fundit janë raste të kontaktit, që do të thotë se popullata pak është relaksuar dhe nuk ju ka përmbajtur rekomandimeve për vetizolim dhe qëndrim në shtëpi andaj këto raste që u paraqitën brenda dy ditëve, kishim nga një rast pastaj përnjëherë kishim 8 raste dhe 14 raste, është një indikator se në qoftë se nuk i përmbahemi qëndrimit në shtëpi dhe distancimit fizik, mundësia e paraqitjes sërish të rasteve është e lartë”, tha doktoresha Humolli.

Ajo tha se zbutja e masave kufizuese ishte e domosdoshme për shkak të ekonomisë por rritja e numrit të të prekurve mund të çojë në rivendosjen e masave të tilla.

Vetëm të kthehemi pak prapa. Më 4 maj ishte fillimi i fazës së parë të masave që i binte ditë e hënë. Të shtunën dhe të dielën numri i qytetarëve të Prishtinës në rrugë ishte shumë i lartë, për të mos me thënë që këtë të shtune në shitore të vogla qoftë të rrobave apo gjësende tjera ishte numri enorm i qytetarëve dhe shumica e tyre ishte pa maska”, tha ajo.

Doktoresha Humolli thotë se deri tash numri i rasteve me koronavirus në Kosovë nuk i tejkaloi kapacitetet e sistemit shëndetësor dhe kjo sipas vetvetiu nënkupton se menaxhimi i rasteve është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo thotë se qytetarët dhe institucionet duhet të përgatiten për jetën pas paraqitjes së koronavirusit.

Me paraqitjen e koronavirusit të ri, jeta jonë ka ndryshu, asnjëherë nuk mund të kthehemi në normalitet në të cilin kemi qenë para janarit të vitit 2020 apo Kosova para marsit të vitit 2020. Do të jetë jashtëzakonisht sfiduese për shkak se nuk mund të fillojmë të mendojmë për pushime verore dhe të shkojmë në det, por është një kohë e qetësisë kur ne duhet të ulemi dhe të riorganizojmë edhe vendet e punës edhe mënyrën e zbatimit të punës edhe planet për shkak se duhet të adaptohemi me rrethanat e reja me të cilat veç është duke u ballafaquar njerëzimi. Mbi të gjitha është vendosja e maskave dhe mbajtja e distancimit fizik”, tha doktoresha Humolli.

Autoritetet në Kosovë thonë se deri tani situata me COVID-19 është e qëndrueshme dhe një numër i vogël i të prekurve po trajtohet në klinikën infektive në Prishtinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG