Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha të hënë mbrëma se janë konfirmuar edhe 20 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Sipas institutit 17 janë nga komuna e Malishevës, 1 nga Suhareka, një nga Drenasi dhe një nga Prishtina.
Që të gjitha janë persona që ishin në kontakt me rastet e konfirmuara më herët si të prekur nga COVID-19.
Rastet e fundit e çuan në 165 numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga të cilët 24 janë shëruar.
Mëngjesin e së hënës autoritetet thanë se dy persona vdiqën nga pasojat e koronavirusit duke e çuar në tre numrin e të vdekurve.
Në një njoftim të ministrisë thuhej se në orën 3 vdiq një burrë nga Prishtina i lindur në vitin 1961 i cili vuante nga diabeti. Ndërsa rreth orës 7 vdiq një grua nga fshati Korishë i komunës së Prizrenit e lindur në vitin 1950. Sipas ministrisë edhe ajo vuante nga disa sëmundje kronike.
Rastet e sotme e çuan në tre numrin e të vdekurve, Ditë më parë nga pasojat e virusit vdiq një 82 vjeçar nga komuna e Podujevës.
Por, në të dhënat e Institutit Kombëtar nuk përfshihen edhe rastet e të infektuarve nga radhët e komunitetit serb.
Sipas zyrtarëve lokal të komunave me shumicë serbe në ato mjedise janë konfirmuar 33 të prekur ndërsa një ka vdekur derisa po kurohej në një spital në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.
Facebook Forum