Lidhje

Kosovë, kufizim i rreptë i lirisë së lëvizjes – 15 raste të reja me koronavirus


Autoritetet në Kosovë shpalosën të hënën në mbrëmje masa të shtrënguara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, i cili ditëve të fundit ka prekur një numër më të madh personash.

Në një konferencë me gazetarë, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia tha se masat e reja që kufizojnë shumë lirinë e lëvizjes do të fillojnë të zbatohen nga e mërkura me 15 prill dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj.

“Për personat fizikë, për moshat mbi 16 vjeçare, lejohet qarkullimi për furnizim në mallra të domosdoshme si ushqim, barna për njerëz dhe kafshë apo edhe shpezë dhe produkte higjienike dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare si pagesat apo punët bankare, për vetëm një orë e gjysmë në ditë sipas orarit të përcaktuar ditorë në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal (në lejet e njoftimit”.

Ai tha se gjatë lëvizjes së personave fizik për furnizim me mallra të domosdoshme nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër përveç në dy raste: personat me aftësi të kufizuara dhe personat nën 16 vjeç të shoqëruar nga një anëtar i të njëjtës bashkësi familjare, në të njëjtën shtëpi.

Ministri në detyrë, Vitia tha rekomandohet që personat mbi moshën 65 vjeçare të mos dalin nga shtëpia përveç në raste urgjente dhe të domosdoshme për ta.

“Duhet theksuar se shumica e qytetarëve do të kenë mundësi të dalin nga shtëpia vetëm një herë në ditë për një orë e gjysmë për të kryer furnizim me mallra të domosdoshme si dhe detyrat e nevojat financiare. Megjithatë për të ruajtur funksionimin e administratës shtetërore dhe veprimtarinë esenciale të ekonomisë jemi pajtuar që të bëjmë disa përjashtime. Me dokumente nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomik mundësohet qarkullim i lirë për operatorët ekonomik dhe institucione, transporti i lirë i mallrave për furnizim, lejohet dalja nga shtëpia për raste të shëndetësisë”, tha zoti Vitia.

Po ashtu sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë, gjatë kohës së lëvizjes së lejueshme, personat fizikë detyrohen të mbajnë të mbuluar gojën dhe hundën me maska, shall apo ndonjë mbulesë tjetër dhe të ruajnë distancën prej 2 metrash nga personat tjerë. Do të ndalohet edhe lëvizja e makinave në komuna përveç në disa raste, që kanë të bëjnë me nevojat e operatorëve ekonomik dhe institucioneve përgjegjëse, furnizuesit, etj.

“Mos respektimi i masave të përcaktuara me këtë vendim konsiderohet sipas ligjit si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1 mijë deri në 2 mijë euro për personat fizikë dhe 3 mijë deri në 8 mijë euro gjobë për personat juridik”, tha zoti Vitia.

Deri në mbrëmjen e së hënës numri i të prekurve arriti në 377 persona. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi edhe 15 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Sipas institutit 9 raste janë nga komuna e Suharekës, 3 nga komuna e Gjilanit nga një 1 rast në Ferizaj, Malishevë dhe Leposaviq.

Deri tani 8 veta kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit, ndërsa 63 janë shpallur të shëruar.

Të dielën autoritetet konfirmuan 79 raste të reja që shënoi edhe numrin më të lartë të të infektuarve të regjistruar në një ditë që nga 13 marsi kur janë konfirmuar rastet e para të të prekurve nga COVID-19.

Masat e reja të ministrisë së Shëndetësisë u shpalosën të hënën kur hyri në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të qeverisë së Kosovës të 23 marsit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Me 23 mars qeveria vendosi ndalimin e lëvizjes së “qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”, duke thënë se vendimi është në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit dhe në funksion të pengimit të zgjerimit të koronavirusit. Më pas vendimi u ndryshua dhe lëvizjet i ndaluan nga ora 17:00 deri në orën 06 të mëngjesit.

Por, më 24 mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës.


Gjykata vendosi shfuqizimin e këtij vendimi më 13 prill.

Kryeministri tashmë në detyrë kundërshtoi kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Të hënën mbrëma Partia Demokratike e Kosovës u shpreh e alarmuar me vendimet e qeverisë në detyrë.

“Menjëherë pas hyrjes në fuqi të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo Qeveri në ikje ka marrë në mënyrë arrogante, sërish të njëjtin vendim anti-kushtetues për kufizimin e lirive të qytetarëve, ndërkohë që kjo gjë mund të bëhet vetëm me një ligj të posaçëm të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në një reagim të kësaj partie.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se me vendimet e së hënës, rendi kushtetues është cenuar rëndë.

“Qeveria e Kosovës, me këtë vendim anti-kushtetues, ka uzurpuar pushtetin. Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cenuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet anti-kushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm”, shkroi ai në rrjetin facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG