Lidhje

Kosovë, që nga fillimi i pandemisë mbi 1 mijë të vdekur nga pasojat e COVID-19


Kosova shënoi të hënën 11 viktima dhe 539 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Kjo e çoi në afër 40 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve, nga të cilët 13 mijë e 500 mbeten raste aktive.

Kosovë, që nga fillimi i pandemisë - më shumë se 1 mijë të vdekur nga COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha sot se po shqyrtohen masa të reja për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

“Do të shohim për mbarëvajtjen e aktiviteteve shkollore, po insistojmë që të shkurtohet gjysmë vjetori, sigurisht besojmë që brenda dy javësh duhet të kryhen disa rezultate të notimit të nxënësve, do ta lehtësojmë këtë pjesën me gripin sezonal edhe me infeksionin COVID-19. Pjesë tjera do të lidhen me aktivitete tjera mbikëqyrëse, efikasiteti i zbatueshmërisë së masave dhe mbyllja që është në shumë komuna, kjo që quhet pas orës 19, zonat e verdha dhe gjithçka do të jetë sipas rekomandimeve dhe projeksioneve”, tha ministri Zemaj.

Gjendja me pandeminë dhe menaxhimi i situatës ishte edhe pjesë e debateve të rrepta në parlamentin e Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se Kosova po ndan fatin e vendeve tjera dhe po bënë gjithë çfarë është e mundur për të përballur situatën.

“Tash që po përballemi me valën e dytë të pandemisë, i kemi organizuar edhe njëherë klinikat për t’i vënë në funksion të menaxhimit të situatës, për të krijuar shtretër shtesë. Nuk jemi para kolapsit, jemi në gjendje emergjente shëndetësore kjo është e vërtet. Nuk jemi para kolapsit sepse kemi ndërmarr masat e nevojshme sikurse çdo vend në regjion edhe në BE, e kemi përmirësuar furnizimin me barna, është dukshëm më i mirë. Ndërkohë që po flasim, e kam parasysh që plot familje shpenzojnë edhe nga xhepi i tyre për të blerë barna të caktuara, do të bëjmë të pamundurën që t’i furnizojmë edhe komunat pra qendrat e mjekësisë familjare me barna, po punojnë shumë për sigurimin e vaksinës anti COVID përtej sasisë që na është garantuar krahas vaksinave që u jepen vendeve tjera të regjionit”, tha ai.

Por, partitë opozitare kritikuan qeverinë për siç thanë dështim dhe keqmenaxhim të situatës shëndetësore në vend.

“I nderuar kryeministër po ju sfidoj, eja në COVID 2 dhe COVID 3 vizitoje aty brenda dhe shikoje si është gjendja, eja edhe ne intensiven qendrore, eja dhe bisedo me mjekë, bisedo me personelin shëndetësor, me personelin mbështetës, janë buzë kolapsit, situata është alarmante. Lëre më se para katër muajve keni thënë do ta bëjmë dhe do ta shohim, do të bëjmë, po flasim për jetë njerëzish, nuk janë 1008 vdekje numra por janë jetë njerëzish, nuk guxohet të rrihet me këtë komoditet thuajse është ka ndodh COVIDI në planet tjetër, lëri shifrat e Evropës së askund nuk jemi”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

“Tash keni ardhur me një premtim të ri për vaksina anti COVID për të cilat akoma nuk keni asnjë lloj marrëveshje. Nuk na tregoni se si i përballojnë qytetarët tanë shpenzimet e jashtëzakonshme për të blerë barnat e domosdoshme për të menaxhuar me COVID-19, sa kushton Remsediviri, a e paguani ju? Kush i paguan ato? dhe këtu na flisni për sukses në menaxhimin e pandemisë na thoni që jeni njejtë me vendet tjera. Jemi vendi me menaxhimin më skandaloz të pandemisë dhe këtë e konfirmon jo vetëm numri i vogël i testimeve, numri i lartë i rasteve por mbi të gjitha numri i madh i vdekjeve”, tha deputeti Fitim Uka nga lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk dua të polemizoj më shumë me zotin Haxhiu dhe as me folësin e fundit, po përdorni situatën për qëllime të juaja politike dhe unë tërhiqem prej këtij lloj debati”, tha kryeministri Hoti.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se asnjë qytetar nuk po përballet me mungesë të trajtimit spitalor dhe ofrimin e shërbimeve dhe se Kosova, sipas tij, ka shkallën më të ultë të vdekshmërisë në rajon dhe botë.

Në Kosovë, që nga muaji mars nga pasojat e COVID-19 kanë humbur jetën 1 mijë e 16 qytetarë, 11 prej tyre në 24 orët e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG