Lidhje

Shkarkim ambasadorësh në Kosovë – reagon opozita


Dymbëdhjetë shefa të misioneve diplomatike të Kosovës, janë shkarkuar me kërkesë të ministrisë së Jashtme.

Të shkarkuarit janë ambasadorë të emëruar sipas vijës politike dhe ligji në Kosovë parasheh që 50 për qind e tyre emërohen në këtë vijë, ndërsa pjesa tjetër duhet të jenë diplomatë të karrierës.

“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, tha Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një deklarate të publikuar në rrjetin Facebook dhe e cila iu shpërnda medieve të enjten.

Opozita kritikoi qeverinë e re për këto veprime që sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, paraqesin “pezullim të diplomacisë” së Kosovës.

“Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me "çelës politik" është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, shkroi në rrjetet sociale zoti Hoxhaj, që një kohë ka shërbyer edhe si ministër i Jashtëm.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky është vendim i pashembullt i papjekur politikisht, që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës.

“Largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse. Asnjëri prej ambasadorëve të dërguar sipas “çelësit politik” nuk ka shërbyer në emër të partisë apo të individëve, por kanë kryer me nder detyrën në shërbim të shtetit të Kosovës, avancimit të pozitës së tij dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës e bashkatdhetarëve tanë”, shkroi zoti Haradinaj.

Ministrja e Jashtme tha se “në javët në vijim do të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve dhe shefave të misioneve të rinj dhe do të vazhdojë reforma në rrjetin e ambasadave dhe konsullatave të përgjithshme, duke respektuar kriteret e matshme të standardeve ndërkombëtare”.

Vëzhguesit druajnë për boshllëk në misionet diplomatike, meqë procedurat e

emërimit të ambasadorëve të rinj kërkojnë kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, në bashkërendim me kryeministrin, kandidaturat debatohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të parlamentit. Më pas emrat i dërgohen për dekretim presidentit të vendit. Emrat më tej u dërgohen shteteve pranuese që të japin pëlqimin, gjë që mund të marrë disa muaj.

Në mars të vitit 2020, ish ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkarkoi një numër ambasadorësh e konsujsh, por vendimi i tij nuk ishte dekretuar nga ish presidenti, Hashim Thaçi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG