Lidhje

SHBA përgëzon Kosovën për pavarësimin energjetik të saj


Ambasada amerikane në Prishtinë përgëzoi Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe anëtarët e Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale lidhur me kushtet që duhet plotësuar për t’u lidhur me rrjetin elektrik evropian.

Në një njoftim të ambasadës amerikane thuhet se “miratimi i kësaj marrëveshjeje shënon kulminacionin e projektit të filluar në vitin 2013, për të sjellë siguri energjetike më të madhe për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar palët që të gjejnë zgjidhje kreative dhe të qëndrueshme për të nxitur integrimin e mëtejshëm ekonomik. Ne mezi presim që të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe partnerët e saj të shumtë gjersa ajo zbaton këtë vendim dhe vazhdon integrimin e saj në komunitetin evropian”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë thanë të hënën se është përmbyllur procesi i votimit për marrëveshjen e re të kyçjes ndërmjet sistemit energjetik të Kosovës dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE) që i hap rrugë pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës.

Në një komunikatë të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) thuhet se “me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, KOSTT-i dhe Republika e Kosovës përfundimisht dalin nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK”.

Zyrtarët e KOSTT-it thanë në një komunikatë se “kjo është një ditë e madhe historike për KOSTT-in dhe për gjithë Kosovën. Me zhvillimet e sotshme, edhe në aspektin energjetik KOSTT dhe Republika e Kosovës pavarësohen nga Serbia”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se ky zhvillim i hap rrugë KOSTT-it për integrimin në tregun rajonal të energjisë, pjesëmarrjes në bursën shqiptare të energjisë (APEX) si dhe vënies në operim të linjës 400 kilovoltëshe Kosovë-Shqipëri.

Votimi i marrëveshjes u mirëprit nga udhëheqës të institucioneve, partive politike dhe ambasadave.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shkroi se me votimin e marrëveshjes “ka filluar përmbyllja e procesit të gjatë dhe të mundimshëm të pavarësimit të rrjetit energjetik të Kosovës, përkundër rezistencës së Serbisë. Kjo është një e arritur e madhe e Kosovës dhe shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona strategjike. U jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për përkrahjen e tyre në implementimin e kësaj marrëveshjeje”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje e re do të mundësojë operimin si një bllok i vetëm energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në një postim në rrjetin social Facebook, zoti Kurti tha se “si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT-i, do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in. Humbjet tona direkte nga mospjesëmarrja në mekanizmat ndërkombëtarë arrijnë deri në 8 milionë euro në vit, përderisa ato indirekte vlerësohen të jenë edhe më të larta”, shkroi ai duke nënvizuar se kjo paraqet një arritje të madhe për Kosovën.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “sot është ditë e madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia!”. Nëpërmjet një postimi në Facebook, zoti Haradinaj tha se “për dy vite, si Kryeministër i vendit kemi punuar ngushtë dhe kemi realizuar dhjetëra takime pune, larg publicitetit, me institucionet energjetike dhe partnerët strategjik, në veçanti ShBA-në dhe Gjermaninë, që të arrihet kjo ditë. Kosova ia doli!”, shkroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, e cilësoi lajm të gëzueshëm. “Ky anëtarësim është produkt i përpjekjeve tona të mëdha shumëvjeçare dhe do të mundësojë një integrim të plotë të vendit tonë në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike. Për më tepër, ky vendim i hap rrugën edhe funksionalizimit të autostradës energjetike Kosovë – Shqipëri, e cila për vite me radhë ka qenë padrejtësisht e bllokuar. Falënderoj KOSTT-in, si dhe në veçanti Ambasadën e SHBA-ve dhe atë të Gjermanisë, që i qëndruan shumë afër Kosovës me mbështetje politike dhe teknike në këtë proces”, shkroi ai.

Marrëveshja u përshëndet edhe nga ambasada gjermane në Prishtinë e cila e quajti moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin në rajon.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “ky është rezultati i një rruge të gjatë në të cilën Gjermania qëndronte përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve të Kosovës. Ne bashkërisht besojmë në përfitimin e bashkëpunimit tonë për qëndrueshmërinë rajonale dhe jemi të bindur se Marrëveshja e Lidhjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të përfitojnë në fund”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane në Prishtinë.

Përfshirja e Kosovës në sistemin energjetik evropianë pritet t’i hap mundësi lidhjes së saj me rrjetin energjetik të Shqipërisë, një marrëveshje që është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar ndërmjet dy sistemeve të operatorëve energjetik..

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilës KOSTT-i dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS), duhej të fillonin funksionimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO).

Por, ajo ende nuk është zbatuar sikundër edhe një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura në bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tw dyja vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG