Lidhje

Diplomatët perëndimorë, thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë së Kosovës


Diplomatët perëndimorë bënë thirrje të enjten për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Diplomatët perëndimorë, formim të shpejtë të qeverisë së Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare, thanë në një komunikatë të përbashkët se “zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet dhe se k është thelbi i procesit demokratik’.

Në komunikatë thuhet se “nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara reformat për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian. Këto procese janë në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të votuesve”, thuhet në komunikatë.

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri jehonë këtij qëndrimi duke theksuar se “qytetarët e Kosovës po presin me padurim per një qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive.

Qëndrimin e mbështeti edhe ambasada britanike në Prishtinë.

Javën e ardhshme pritet të mbahet seanca konstituive e parlamentit të ri të Kosovës, por, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që dolën të parat në zgjedhje, ende po vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje për bashkëqeverisje. Me gjithë se u duk që të dyja subjektet do të nënshkruajnë marrëveshjen, ato vazhdojnë të jenë të ndara për çështjen e pozitave udhëheqëse. Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe posti i presidentit të vendit dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq po kërkon që të zgjidhet njëherë qeveria ndërsa për pozitën e presidentit të diskutohet pas një viti kur edhe pritet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e tij.

Dy deputetë gjermanë, Peter Bayer dhe Christian Shmidt, të cilët takuan të enjten udhëheqësit e të dy partive thanë se nuk është koha për zgjedhjen e presidentit të Kosovës por për krijimin e qeverisë së re.

“Mundet dhe duhet të ketë një marrëveshje të besueshme ndërmjet partnerëve dhe pritshmëritë e mija janë se këto janë të rezervuara për natën e fundit”, tha deputeti Christian Shmidt, duke shprehur besimin që marrëveshja mund të arrihet.

Deputeti Peter Bayer tha se udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e kuptojnë shumë mirë përgjegjësinë që kanë pas zgjedhjeve të 6 tetorit për të formuar një qeveri të qëndrueshme.

“Një gjë të cilën të gjithë duhet ta kuptojnë është se bisedimet për koalicionin kanë mbërritur në një pikë ku të gjithë që janë përfshirë duhet ta kuptojnë që nuk duhet të humbin kohë në hollësira teknike. Është koha për të shikuar njëri tjetrin në sy dhe të kuptojnë që besimi është thelbi, mirëbesimi është thelbi. Nëse në të vërtetë ekziston ky vullnet politik që e kemi ndjerë në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike për të formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, ju takon përgjegjësia për ta bërë atë”, tha ai.

Deputetët gjermanë thanë se nuk është qëllim dhe as mandat i tyre ndërhyrja në negociatat për koalicionin, por theksuan se është me rëndësi që Kosova të ketë qeveri të qëndrueshme dhe jo lojëra taktike.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG