Lidhje

Kosovë, shkarkohet shefi i Agjencisë së Zbulimit


Në një njoftim të shkurtër dhe pa asnjë shpjegim, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha të enjten se i ka kërkuar "zotit Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë".

Zyrtarë të qeverisë thanë se vendimi është marrë në bashkërendim me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, por nuk dhanë ndonjë hollësi tjetër.

Zonja Osmani, e cila për tri ditë qëndroi për një vizitë në Shqipëri, i tha kanalit televiziv Euronews Albania se "nuk është e drejtë të flasë për hollësitë", meqë "ky është një rast i ndjeshëm", ndërsa konfirmoi se është bashkërenduar me kryeministrin Hoti.

Vendimi për t'i kërkuar zotit Kreshnik Gashi largimin nga posti i shefit të Agjencisë së Zbulimit, pasoi pretendimet se një inspektor i agjencisë kishte provuar të marrë disa dokumente nga kasaforta e presidencës më 6 nëntor, një ditë pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi, cili ndodhet në Hagë për t'u përballur me akuzat për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.

Përpjekja, sipas zyrtarëve të presidencës, thuhet të jetë bërë në praninë e sekretarit të zyrës së presidentit, Driton Gashi, i cili më herët kishte shërbyer si drejtor i Agjencisë së Zbulimit.

Shefi i kabinetit të zonjës Osmani, Faton Peci, i tha kanalit televiziv Klan Kosova se më 6 nëntor e kishte gjetur zotin Gashi në zyrën e presidentes derisa një inspektor i paidentifikuar i Agjencisë së Zbulimit po përpiqej te hapte kasafortën ku mbahen dokumentet e "klasifikuara".

Driton Gashi po në Klan Kosova mohoi një gjë të tillë duke theksuar se pohimet që "kasaforta ishte hapur dhe kishte ndodhur ndonjë shkelje e autorizimeve" janë të pasakta.

Më pas zonja Osmani më 15 dhjetor pezulloi nga detyra zotin Driton Gashi, nën dyshimin " për shkelje të rënda në detyrat e punës".

Çështja është diskutuar me dyer të mbyllura edhe në një mbledhje të komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit, por nuk janë dhënë hollësi.

Driton Gashi, ishte shkarkuar nga posti i shefit të Agjencisë së Zbulimit më 30 mars të vitit 2018 pas arrestimit dhe dëbimit atëbotë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.

Ai u pasua në atë post nga Shpend Magjuni, i cili dha dorëheqje më 6 nëntor të vitit 2019 dhe u pasua nga Kreshnik Gashi, i cili u emërua në atë post më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Kreshnik Gashi ishte shefi i pestë me radhë i Agjencisë së Zbulimit që u themelua pas pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008. Tre prej tyre dhanë dorëheqje ndërsa dy u shkarkuan duke bërë që asnjëri të mos përmbushë mandatin deri në fund.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG