Lidhje

Debat e protestë rreth xhamisë së re në Prishtinë


Kosovo

Një grup banorësh të një lagjeje të Prishtinë protestuan të mërkurën kundër ndërtimit të xhamisë së re në kryeqytet. Ndërtimi i saj filloi më 15 korrik ndërsa gurthemeli i saj është hedhur në tetor të vitit 2012.

Një grup qytetarësh dhe arkitektësh kanë shfaqur mospajtime rreth mënyrës së ndërtimit dhe vendit të ndërtimit të xhamisë, e cila do të financohet nga Bashkësia Islame Turke, me një çmim prej rreth 40 milionë eurosh.

Përgjatë protestës së sotme kundërshtarët dhe mbështetësit e ndërtimit të xhamisë shkëmbyen polemika.

Debat e protestë rreth xhamisë së re në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”.

Ai shkroi mes tjerash se “Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë” dhe se “askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shkroi ndërkaq se protestat janë “pjesë e ekspozimit demokratik”.

“Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 për qind muslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë.... Tendenca që të diktosh besimin dhe objektet fetare, nuk përkon me respektimin tonë të ndërsjellë dhe as me respektimin e vetvetes. Pse duhet të na pengojë një xhami e madhe, një katedrale, një kishë në Prishtinë. Qytetet më të mëdha ua kanë vënë qytetarë të tyre vendet më të mira për xhami, siç është Londra. Është Tirana. Këtë e kam bërë edhe unë sa isha Kryetar i Prishtinës”, shkroi ai.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi se “populli shqiptar gjithmonë ka qenë shembull i bashkëjetesës vëllazërore të besimeve të ndryshme. Asnjëherë nuk i kemi diktuar të tjerëve se si duhet të besojnë apo çfarë tempuj e faltore duhet të ndërtojnë. Si popull duhet të jemi krenar për besimin në Zot. Të gjitha bashkësitë fetare duhet t'i shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta, vëllazërisë e solidaritetit mes nesh. Të bashkuar i kemi kaluar të gjitha sfidat që na solli historia. Ashtu duhet të vazhdojmë edhe më tutje”, shkroi ai.

XS
SM
MD
LG