Lidhje

Vritet politikani lokal serb Oliver Ivanoviç.

update

Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", Oliver Ivanoviç, është qëlluar më armë zjarri mëngjesin e së martës në veriun e Mitrovicës.

Vritet politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

​Zyrtarë të partisë së tij thanë se ai u qëllua para zyrës së tij dhe më pas u dërgua në spitalin e Mitrovicës, por nuk u bëri ballë plagëve të marra.

Avokati i tij Nebojsha Vlajiç, tha se ai ndërroi jetë pasi që ishte qëlluar me disa plumba. Drejtori i spitalit në veriun e Mitrovicës, Milan Ivanoviç, tha se janë konstatuar pesë plagë në kraharor të shkaktuara nga armë zjarri.

Policia ka bllokuar zonën ku ka ndodhur sulmi por ende nuk ka dhënë ndonjë hollësi për rrethanat, motivet apo autorët e mundshëm.

Nisma e tij politike u ishte nënshtruar trysnive gjatë zgjedhjeve për pushtetin komunal në tetor të viti 2017, në të cilat fitoi Lista Serbe një forcë politike që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Në muajin korrik në rrethana të pasqaruara ishte djegur makina e tij.

Oliver Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile.

Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Oliver Ivanoviç, ishte përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Presidenti dhe qeveria e Kosovës dënojnë vrasjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi ashpër vrasjen e kryetarit të Nismës Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia", Oliver Ivanoviç.

“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi, i cili u bën thirrje qytetarëve të të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.

Qeveria e Kosovës dënoi ashpër vrasjen duke theksuar se "akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet".

Në reagimin e saj, qeveria e Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Beogradi mbledh këshillin e sigurisë - ndërpret bisedimet në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mblodhi në mesditë këshillin kombëtar të sigurisë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Ai tha pas takimit se vrasja ishte "akt terrorist" dhe se u ka dërguar letër Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe EULEX-it me kërkesën që organet serbe të përfshihen ne hetime. Ai tha se Beogradi do të kryej hetime të posaçme dhe do të ndriçojë rastin nëse këtë nuk e bëjnë autoritetet në Kosovë dhe do të publikojë identitetin e autorëve pavarësisht nëse bëhet fjalë për shqiptarë apo serbë

Ndërkohë, delegacioni serb që ndodhej në Bruksel për vazhdimin e bisedimeve teknike me Kosovën, ndërpreu bisedimet për shkak të situatës së krijuar pas kësaj vrasjeje.

Organizatat ndërkombëtare dënojnë vrasjen - bëjnë thirrje për qetësi

Reagime ndaj vrasjes së Oliver Ivanoviçit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e dënoi "në mënyrën më të ashpër të mundshme", vrasjen e Oliver Ivanoviçit

Në reagimin e tij ai u bën thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë shpejtë dhe profesionalisht incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë.

"U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të qëndrojnë të qetë në këtë periudhë të ndjeshme dhe të përkushtohen për vazhdimin e punës drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi", thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka biseduar në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Në një komunikatë të zyrës së saj thuhet se "ajo e dënoi ashpër vrasjen", ndërsa shfaqi pritjet se autoritetet e rendit në Kosovë nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur autorët dhe për t'i vënë ata para drejtësisë pa asnjë vonesë. Ajo u zotua se Misioni i BE-së për sundimin e ligjit do të mbështesë autoritetet brenda mandatit të tij.

Zonja Mogherini, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe t'u lejojnë organeve të rendit dhe drejtësisë të bëjnë punën e tyre.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu është shprehur "i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar pas lajmit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit".

“Ai ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës për pothuajse dy dekada. Ka treguar angazhim të palodhshëm në të mirë të komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i vlerësuar në Kosovë,” thuhet në reagimin e tij.

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit është thellësisht shqetësuese,” shtoi ai. “E kam pasur privilegjin që ta njoh personalisht për vite dhe gjithmonë e kam admiruar intelektin, qetësinë dhe përkushtimin e tij. Të shohësh vrasjen e një politikani me gjakftohtësi në vitin 2018 në Kosovë është mendim shqetësues. E dënoj në mënyrën më të fuqishme këtë akt mizor", thuhet në reagimin e zotit Braathu, i cili bën thirrje për vënien sa më parë para drejtësisë të autorëve të vrasjes. "Ky do të jetë test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë,” theksoi ai.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë,. Zahir Tanin, e dënoi poashtu ashpër vrasjen e politikanit serb. Ai u shpreh "i tronditur", nga vrasja ndërsa shprehu besimin se organet e hetuesisë se “do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim”.

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara i kishin paralajmëruar qytetarët amerikanë që të "shtojnë kujdesin në Kosovë për shkak të terrorizmit". Në një paralajmërim të Departamentit Amerikan të shtetit që mban datën 10 janar, përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut.

Nuk ishte dhënë ndonjë shpjegim për kohën dhe arsyet e këtij paralajmërimi që është lëshuar në një periudhë kur Kosova përballet me tensione politike në prag të shënimit të dhjetë vjetorit të pavarësisë së saj që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe aleatja e saj Rusia. Veriu i Kosovës vazhdon të jetë zonë e kundërshtimit më të madh të pavarësisë së Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit të Prishtinës është pjesë e një procesi të gjatë bisedimesh me Serbinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG