Lidhje

Parlamenti i Kosovës të enjten debaton nismën për një gjykatë mbi krimet serbe


Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të enjten për të votuar mbi një varg masash me të cilat synohet të dënohen, siç thuhet, gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë.

Në këtë seancë pritet të votohet themelimi i një komisioni shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për një rezolutë që dënon, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, e hartuar nga komisioni ad hoc i krijuar muajin e kaluar nga parlamenti i Kosovës, si dhe ngritja e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha pas mbledhjes së kryesisë se pret që deputetët t’i votojnë këto masa, meqë sipas tij, i takon kësaj gjenerate që të faktoj, siç tha, gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.

“Ne duhet ta pranojmë një fakt drejtësia ndërkombëtare nuk e ka kryer punën e vet por ne nuk do të ndalemi dhe nuk të harrojmë e të lejojmë që gjaku ynë të humb. Askush nuk ka të drejtë as të na e kërkojë këtë dhe as ta mohojë të vërtetën mbi atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, shteti serb ka kryer gjenocid mbi qytetarët tanë edhe duhet të përgjigjet, kështu i hapim perspektivë pajtimit të madh në Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Veseli.

Ideja e tij për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Zoti Veseli tha sot se është i befasuar me mëdyshjet duke theksuar se ai po punon me ekspertë të drejtësisë për këtë çështje.

“Unë e di se ka nga pak edhe skepticizëm, dhe ajo që po më pengon më së shumti është pikërisht një lloj skepticizmi dhe frike, këta janë armiqtë më të mëdhenj për kombin tonë. Mua më kujtohet edhe në vitet ‘90 kur kemi filluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një skepticizëm se a mundemi ne të kemi ushtri dhe a mund ta mundim Serbinë? Mundet, kush është i padrejtë dhe pushtues mund të mundet çdo herë. Mesazhi është ky, ky tribunal do të merr kohë sepse do të dokumentohen gjërat nuk do të jenë as pretendime as emocione, do të ketë me dhjetëra e qindra dëshmi e aktakuza për gjenocidin serb në Kosovë”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG