Lidhje

Haradinaj: Nuk heq dorë nga tarifat për asnjë çmim


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të martën se vendimi për tarifat ndaj mallrave serbe është i ligjshëm, i mbështetur në kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe nuk do të heqë dorë nga ky vendim për çfarëdo çmimi.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, duke ju përgjigjur kërkesave të ndryshme brenda koalicionit qeverisës dhe faktorëve ndërkombëtare që të pezullohen tarifat për t’u hapur rrugë bisedimeve.

Haradinaj: Nuk heq dorë nga tarifat për asnjë çmim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Kryeministri Haradinaj tha se tashmë ai ka vendosur kushtet për pezullimin e tarifave që përfshijnë një konferencë ndërkombëtare për një marrëveshje me Serbinë.

“Kushdo që ka problem me ato elemente që kemi vendosur, në rregull, pra nëse mundemi pa marrëveshje mundemi edhe ne. Viti 2022 po vjen dhe Serbia do të hyjë në Bashkim Evropian, nuk e kuptoj pse ne duhet të japim nga vetja në këto rrethana apo situata, kushdo që ka problem si i brendshëm si i jashtëm me këto kërkesa del kundër të drejtës tonë dhe kushtetutës që kemi dhe ne nuk kemi mirëkuptim për dikë që ka problem me këto kritere që i kemi nxjerrë atë ditë. Pra nuk mund të kemi mirëkuptim, atëherë i bie tërheqje e njohjes, nëse dikush nuk të respekton në atë që je, atëherë i bie tërheqje e njohjes dhe ne nuk kemi arsye pa folur hapur se pse duhet të kontestohet 17 shkurti i 2008? Nuk besoj që Shtetet e Bashkuara kan problem me këto kushte, ju siguroj, por kushdo që ka, atëherë dihet në çfarë marrëdhëniesh jemi”, tha kryeministri Haradinaj.

Mbajtja në fuqi e tarifave dhe thirrjet amerikane për anulimin e tyre kanë nxitur qëndrime të ndryshme në Kosovë dhe një përplasje në distancë ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndarje për tarifat janë shfaqur edhe brenda koalicionit qeverisës. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka propozuar pezullimin 120 ditësh të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, për të ruajtur dhe intensifikuar marrëdhëniet me partnerët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Qëndrimet e tilla të ndryshme kanë bërë që të shtohen zërat për mundësinë që koalicioni qeverisës të ndajë rrugët dhe mbase vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Sa i përket shkuarjes në zgjedhje potenciale i bjen që tarifat mbetën deri në qershor atëherë gjithqysh sepse nëse shpallen zgjedhjet janë 45 ditë deri sat ë mbahen, derisa krijohet parlamenti janë edhe 30 tjera, pastaj qeveria kështu që do të hyjmë në verë, pra dua t’u ju them bëhuni gati se do të hyjmë në verë me taksë, do të na nxen qershori gjithqysh e pastaj bisedojmë tjerat çfarëdo qofshin ato, por kështu do të jetë”, tha ai.

Ai tha se anulimi i tarifave do t’i hap rrugë ndryshimit të territorit apo rritjes së kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të tarifave si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian ndërkaq Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i pezulluar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi publikoi ndërkaq sot një letër që i kishte dërguar në fillim të këtij muaji presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.

Në letër, presidenti Thaçi, “e ka siguruar presidentin Trump se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë”, thuhet mes tjerash në letër duke nënvizuar se marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë, por një marrëveshje e përjetshme për njohjen ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG