Lidhje

Gjykata e Lartë e Kosovës nuk certifikon Albin Kurtin për pjesëmarrje në zgjedhje


Gjykata e Lartë e Kosovës vendosi të premten që të pranojë një pjesë të ankesës së lëvizjes Vetëvendosje për certifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, por la përfundimisht jashtë listës kryetarin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.

Vendimi i Gjykatës së Lartë pasoi ankesën e disa partive politike ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili në fillim të javës miratoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos certifikojë kandidatët e dënuar me vepra penale në tri vitet e fundit.

Gjykata e Lartë është organi më i lartë që shqyrton ankesat e partive politike.

Në një njoftim të kësaj gjykate thuhet se ajo “ka pranuar pjesërisht ankesën e lëvizjes Vetëvendosje, për kandidatët Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjykata ka ndryshuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për nja kandidat për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që kandidatin Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.

Gjykata e Lartë e ka refuzuar ndërkaq ankesën e Nismës Socialdemokrate si të pabazë, subjekt ky që ka 12 kandidatë për deputetë të dënuar me vepra penale.

Mos certifikimi i kandidatëve të partive politike është bërë në bazë të nenit 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton përshtatshmërinë e kandidatëve për t’u certifikuar.

Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Debatet rreth kandidaturave ishin përqendruar kryesisht tek zoti Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG