Lidhje

Parlamenti i Kosovës provon sot sërish zgjedhjen e presidentit


Mungesa e vetëm një vote më shumë, bëri që parlamenti i Kosovës të ndërpresë seancën e së shtunës mbrëma për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit për ta vazhduar sërish të dielën.

Prania fizike e më shumë se tetëdhjetë deputetëve mundësoi hapjen e seancës, por në kutinë e votimit u hodhën më pak vota se 80 vota. Sipas kushtetutës së Kosovës në votim për presidentin duhet të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Raundi i parë i votimeve u përsërit dy herë dhe ndërsa herën e parë pati 78 vota në kuti, herën e dytë ishin 79.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, paraqiti dy kandidatura për këtë post: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandidat në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.

Fillimi i seancës shënon hapjen e procesit të zgjedhjes së presidentit duke përmbushur kriterin e kushtetues se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimi të mandatit të Presidentit aktual”.

Ky mandat përfundon më 5 maj dhe data e fundit në të cilën parlamenti i Kosovës duhej të fillonte procesin e zgjedhjes së presidentit, ishte e hëna me 5 prill. Tanimë seanca është e hapur dhe sipas juristëve, votimi mund të përsëritet deri më 5 maj. Sipas tyre, pas asaj date, Kosova rrezikon të hyjë në një periudhë paqartësie kushtetuese.

Seanca për zgjedhjen e presidentit pasoi përplasje të ashpra politike në dy ditët e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të premten të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.

Madje Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.

Të shtunën pasdite kërkesa u tërhoq duke bërë që në seancë të marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike, por disa nga deputetët e saj nuk u përfshinë në votim, ndonëse ishin të pranishëm në seancë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve edhe diplomatët perëndimor kanë bërë thirrje që të shmanget një mundësi e tillë në një periudhë kur Kosova përballet me situatë të rëndë shëndetësore e ekonomike për shkak të pandemisë së COVID-19.

Para seancës ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se “qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në parlament. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, shkroi ai.

Edhe diplomatë të tjerë perëndimorë bënë thirrje për pjesëmarrje në votim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG