Lidhje

Hapet seminari për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare


Mbi 100 albanologë shqiptarë e të huaj janë mbledhur në Prishtinë për të marrë pjesë në seminarin e 35-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Drejtuesit e tij por edhe përfaqësues institucionesh thanë se seminari është një ngjarje e rëndësishme shkencore e kulturore për Kosovën dhe gjithë shqiptarët në Evropën juglindore.

Seminari i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Udhëheqës të institucioneve vunë theksin tek roli i seminarit në njohjen e popujve dhe kulturave të ndryshme të botës.

“Ardhja juaj këtu në Republikën e Kosovës për ne është një vlerë, një mundësi më e mirë që të njihemi më mirë mes njëri tjetrit, që kulturat tona të gërshetohen edhe më mirë në mënyrë që të kemi edhe një rrezatim më paqësor, më të njohshëm mes njëri tjetrin dhe në të njëjtën kohë edhe më integrues në globalizmin e kohës që po kalojmë”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Si kryeministër i Kosovës jam shumë i lumtur që kjo traditë po vazhdohet dhe ky seminar po ndikon dukshëm në pasurimin e dijeve albanologjike duke trajtuar çdo vit tema të ndryshme dhe të larmishme nga këto fusha duke ndriçuar figura dhe ngjarje monumentale të kulturës shqipe dhe duke pasur brenda vetes figura eminente dhe pjesëmarrës eminent nga e gjithë bota”, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami u bëri thirrje studiuesve që të vazhdojnë të mbesin përhapës të kulturës shqiptare dhe përçues besnik të së vërtetës për Kosovën.

“Kosova ende ka nevojë për përhapjen e së vërtetës së plotë dhe për miq në botë. Në këto dy rrafshe roli i juaj është i pazëvendësueshëm, mbeteni ura të miqësisë dhe lidhje efektive ndërmjet gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe kulturave tuaja”, tha zoti Islami.

Drejtori i këtij seminari Rrahman Paçarizi, tha se seminari i gjuhës ka nevojë gjithmonë për mbështetje dhe u bëri thirrje udhëheqësve të institucioneve që një gjë e tillë të mos pengohet.

“Edicioni i 35-të i seminarit që ka moshë 42 vjeçare do të thotë shtatë edicione më pak se siç ishte dashur ti ketë, tregon për rrugëtimin e vështirë që ka bërë ky seminar, ai ka përjetuar dy ndërprerje dhe ato ndërprerje kanë ndodhur në periudha të rënda për shoqërinë e Kosovës, për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Andaj kushdo që synon të pengojë zhvillimin e seminarit me çfarëdo arsyetimi qoftë me shpikjen e pengesave organizative, procedurale e financiare le t'i kthehet pak historisë për të parë se sa të palavdishëm ishin dhe ç’vend kanë në histori ata që e penguan mbajtjen e seminarit”, tha zoti Paçarizi.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe është mbajtur rregullisht deri në vitin 1991, kur ishte ndërprerë nga autoritetet serbe. Ne vitet 1995 e 1996 sesionet e tij u mbajtën në Tiranë, ndërsa nga viti 2000, seminari është rikthyer në Prishtinë. Studiuesit e çmojnë atë si një ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

XS
SM
MD
LG