Lidhje

Kosova dhe Serbia - stuhi debatesh për "normalizimin e marrëdhënieve"


Nga një takim i mëhershëm në kuadër të bisedimeve Kosovë - Serbi më ndërmjetësimin e BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe të hënën ka mbrojtur idetë e tij për siç thuhet korrigjimin e kufijve si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. "Propozimi im për zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në vija etnike, por po korrigjimit të kufirit dhe njohjes së ndërsjellë", shkroi ai të hënën në rrjetin twitter.

Javën që lamë pas ai nxiti shumë reagime në Kosovë me idenë e tij që në bisedimet me Serbinë që pritet të rifillojnë në shtator, të shtrojë kërkesën për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën, por hodhi poshtë idetë e Beogradit që veriu i Kosovës me shumicë serbe t'i bashkohet Serbisë.

Kosova dhe Serbia - stuhi debatesh për "normalizimin e marrëdhënieve"
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Të hënën ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se tash është rasti më i mirë që çështja e Kosovës të zgjidhet me kompromis.

Ivica Daçiç
Ivica Daçiç

“Në këtë fazë kemi situatën kur Bashkimi Evropian po vëren se problemi kryesor për arritjen e kompromisit janë shqiptarët. Shqiptarët po duan që ne ta njohim Kosovën, plus nëse munden, ta marrin edhe Medvegjën, Preshevën... kjo do të ishte ideale për ta. Në këtë situatë, hapet mundësia që të arrihet zgjidhja e kompromisit. Nëse tashmë ka dialog, në dialog duhet të ketë një propozim" i tha ai televizionit serb Pink, duke theksuar se ndarja e Kosovës ne vija etnike është zgjidhja më e mirë.

Kosova kaloi një fundjavë të qetë pas tensioneve që u ngritën nga idetë e ndryshme dhe rreth 4 gushtit, afatit për hartimin e projekt statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Afati për statutin që tashmë është hartuar dhe do t'u dorëzohet palëve në Bruksel dhe i cili është panjohur për opinionin publik, u përcoll edhe me pohimet se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre. Madje përfaqësues të kishës ortodokse serbe në Kosovë thanë se mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për të nxitur trazira të dhunshme në veriun e Kosovës dhe kjo të shfrytëzohej pastaj, për siç thuhet, krijimin e vijave ndarëse në baza etnike si një akt i kryer.

Ata kanë kërkuar nga besimtarët e tyre që të luten çdo mbrëmje deri më 10 gusht për siç thuhet shpëtimin e Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, akuzoi siç tha "agjenturat", që e sollën Serbinë në situatë që të mbrohet nga "thashethemet". Përfaqësuesi i manastirit të Deçanit në Kosovën perëndimore, Sava Janjiç, i cili u kritikua ashpër nga Beogradi zyrtar, tërhoqi sot vëmendjen në faqet e para të gazetave serbe që shkruajnë për skenarë të si thuhet planeve për ndërhyrje të shqiptarëve në veri dhe mbështetjes amerikane për një gjë të tillë.

"Kush ka interes të krijojë panik dhe të nxisë paqëndrueshmëri në Ballkan dhe për çfarë qëllimesh?' shkruan ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

Bisedimet do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës - Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Asnjëherë deri tash këto çështje nuk janë shtruar zyrtarisht në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtarë deri vonë ishte i prerë në qëndrimet se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh për shkak të efektit "domino" në rajonin që kishte përjetuar luftëra të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Të premten Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregohen krijuese dhe elastike në gjetjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Zgjidhja duhet të vijë prej tyre dhe vetë ata të mbajnë përgjegjësi për të, thuhet në qëndrimin e departamenti të shtetit në të cilin nënvizohet se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG