Lidhje

Kosovë: Rreth 38 gra e 27 fëmijë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak


Ministri i Brendshëm i Kosovës, tha të martën se aktualisht 70 luftëtarë nga Kosova ndodhen në Siri dhe Irak dhe po aq gra dhe fëmijë ndodhen në zonat e konflikteve në Lindjen e Mesme.

Kosovë: Rreth 38 gra e 27 fëmijë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri Skënder Hyseni tha se deri tash 314 qytetarë të Kosovës kanë qenë në luftën e Sirisë.

"Sipas shënimeve tona, 70 luftëtarë aktivë nga Kosova janë në Siri dhe Irak. Po ashtu janë 38 individë të gjinisë femërore dhe 27 fëmijë, ndërsa 57 qytetarë të Kosovës janë deklaruar të vdekur", tha ai.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

Sipas autoriteteve mosha mesatare e personave që janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme sillet nga 18 deri në 27 vjet.

Që nga viti 2013 policia e Kosovës ka iniciuar hetime për 199 persona. Janë arrestuar 102 syresh dhe deri tash janë dënuar 34 persona.

Ministri Hyseni tha se kohët e fundit nuk janë shënuar raste të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në zonat e luftës dhe Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm.

“Sot kemi një situatë që flet për një gjendje në kontroll për aq sa është e mundshme për çështjen e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit. Ekstremizmi është fenomen shumë tinëzar, nuk dihet se si dhe ku do të godas”, tha ministri Hyseni.

Por, ai tërhoqi vëmendjen në shqetësimin për mundësinë e përhapjes së radikalizmit nëpër burgjet e Kosovës nga të dënuarit për të terrorizëm.

"Ne kemi filluar të bëjmë plane serioze si t'i qasemi radikalizmit në burgje. Tashmë i kemi 40 të dënuar për çështje të radikalizmit dhe ne duhet të punojmë që ata t'i ri integrojmë e jo që ata të radikalizojnë edhe të burgosurit e tjerë", tha ministri Hyseni.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG