Lidhje

Kosnett për rrugën përreth manastirit të Deçanit - të respektohen vendimet gjyqësore


Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, mbështeti të mërkurën vendimin e autoriteteve për pezullimin e punimeve në rrugën që lidhë Deçanin me Plavën në Mal të Zi dhe e cila kalon përreth manastirit mesjetar të Deçanit.

Vendimi për pezullim pasoi debatet rreth punimeve të nxitura nga reagimi i igumenit Sava Janjiç nga manastiri i Deçanit, sipas të cilit punimet rrezikojnë manastirin dhe bien ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

"Ndërtimi i autostradës Deçan-Plave ka të bëjë më shumë sesa vetëm me tokën dhe qasjen. Bëhet fjalë për respektimin e vendimeve gjyqësore, respektimin dhe ruajtjen e të drejtave të të gjithëve për të praktikuar besimin e tyre dhe të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, dhe vlerësimin e trashëgimisë së pasur të Kosovës dhe larushisë kulturore. Bashkëpunimi dhe angazhimi për zgjidhje që respektojnë vendimin e gjykatës është e vetmja rrugë përpara që çon në një zgjidhje të vërtetë", shkroi në rrjetet sociale ambasadori amerikan, pak kohë pasi një takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryetarit të komunës së Deçanit, Blerim Ramosaj, të cilët janë pajtuar për pezullim të punimeve.

"Takimi i kryeministrit sot me kryetarin Ramosaj është një hap në drejtimin e duhur", shkroi ambasadori Kosnett.

Në një njoftim të qeverisë thuhet se "duke e vlerësuar edhe një herë rëndësinë e rrugës që lidh Deçanin me Plavën, përkatësisht Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, kryeministri Hoti ritheksoi se duhet të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por, po ashtu, duhet të kihet parasysh edhe rëndësia e kësaj rruge për ekonominë dhe cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit dhe më gjerë. Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, kryeministri Hoti dhe kryetari Ramosaj u pajtuan që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndërsa zoti Ramosaj shkroi në facebook se është pajtuar që kryeministrit Joti "t’i jap afatin e arsyeshëm të bëjë zgjidhjen e kontestit për ndërtimin e rrugës".

Zoti Ramosaj ritheksoi disa herë gjatë ditëve të fundit se rruga nuk është gjë tjetër veçse mundësi zhvillimi për komunën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, i tha Zëri të Amerikës se ndërtimi i kësaj rruge bie ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

Ligji i miratuar në vitin 2008 në bazë të planit mbi të cilin Kosova shpalli pavarësinë e saj, parasheh ndalimin e veprimtarive brenda këryre zonave si: " ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG