Lidhje

Jakup Krasniqi para gjykatësit në Hagë


Kosovo/Krasniqi
Kosovo/Krasniqi

Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, hodhi poshtë të hënën akuzat e Prokurorisë së Posaçme me seli në Hagë e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Krasniqi, ish kryetar i Parlamentit të Kosovës, sipas prokurorisë akuzohet nën dyshimet për përfshirje në veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas prokurorisë, "krimet janë kryer midis afërsisht prillit 1998 dhe gushtit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë – Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende të tjera në komunën e Podujevës, në Drenoc dhe vende të tjera në komunën e Rahovecit, malet e Berishës në Llapushnik dhe vende të tjera në Drenas, Ferizaj dhe vende tjera në këtë komunë, Gjilan, Jabllanicë në Gjakovë, disa vende në Kaçanik, Kleçkë dhe vende të tjera në Lipjan, Likoc dhe vende tjera në Skenderaj, Malishevë dhe vende të tjera në këtë komunë, Shpella e Volljakës në Klinë, Novobërdë, Zllashë dhe vende të tjera në Prishtinë, Prizren dhe vende të tjera në këtë komunë, Suharekë dhe vende të tjera në këtë komunë, Viti si dhe Cahan e Kukës në Shqipërinë Veriore".

Krimet, thuhet në akuzën e prokurorisë, "u kryen si pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundrejt popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri midis marsit 1998 dhe shtator 1999. Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera".

Zoti Krasniqi tha se nuk ndjehet fajtor për asnjë pikë të akuzës.

"Kurrë nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kryejnë vepra të tilla. Jam njeri intelektual dhe politikisht e kam luftuar Serbinë, kurrë në asnjë deklaratë time nuk e kam drejtuar gishtin nga popullata civile. Pastaj në aktakuzë përpiqeni t’i ndani njerëzit në katolik e mysliman, unë jam shqiptar nuk jam as katolik as mysliman dhe kjo është fyese për mua", tha ai duke kundërshtuar akuzën.

Ai tha po ashtu se ndjehet i fyer nga cilësimi i prokurorisë për përfshirje në "ndërmarrje të përbashkët krimnale".

"Cilësimi se ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë e shtetndërtimit që i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Kombet e Bashkuara. Të gjithë ne së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese, ndërsa ndërmarrja e përbashkët kriminale është në Serbi, ishte dhe është këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd, vetëm mbështetësit e politikave të Beogradit", tha zoti Krasniqi.

Të hënën pasdite para gjykatës do të paraqitet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Të martën do të paraqitet ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje në parlamentin e Kosovës, Rexhep Selimi.

Që të gjithë u arrestuan javën e kaluar pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas konfirmimit të akuzës, zoti Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit për t'u përballur me akuzat.

Dhomat e Specializuara, emri me të cilin njihet Gjykata e Posaçme për Kosovën, trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Më 24 shtator është kryer arrestimi i parë. Salih Mustafa, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nën akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Zoti Mustafa i mohoi këto akuza në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG