Nëntëdhjetë e nëntë persona u mblodhën të enjten në sheshin kryesor të Prishtinës, dhe në qytete tjera të Kosovës, në një protestë kundër akuzave të pakonfirmuara të Prokurorisë së Posaçme për krime të luftës dhe të pas luftës, ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se këto akuza janë sulm i drejtpërdrejtë mbi Kosovën dhe luftën e saj për liri.
“E papranueshme dhe e njëanshme, dhe e dyshimtë. Propozim akuza është sulm direkt mbi Kosovën dhe lirinë e saj të cilën e solli lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e mbështetur edhe nga aleatët ndërkombëtar. Gjykatat e tilla që janë ngritur njëanshëm vetëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat e mohojnë gjenocidin dhe krimin e pafund të Serbisë agresore që bëri në Kosovë, janë të papranueshme për Kosovën”, tha zoti Gucati.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë tha se do të udhëtojë të hënën për në Hagë, ku do të intervistohet nga Prokuroria e Posaçme. Më 24 qershor prokuroria publikoi akuzat e pakonfirmuara dhe pas tyre presidenti Thaçi tha se do të jap dorëheqje nëse ato konfirmohen.
Publikimi i tyre bëri që të dështojë plani për një takim Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.
Publikimi nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë. Organizata e Veteranëve të Luftës vendosi që protesta e sotme të zhvillohet në disa qytete me nga 99 persona, duke respektuar masat për parandalimin e zgjerimit të infektimeve me COVID-19, por edhe duke simbolizuar luftën e vitit 1999.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Parlamenti i Kosovës me rezolutë rreth krimeve të luftës
Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë me të cilën bën thirrje që puna e Gjykatës së Posaçme “të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj” dhe “të jetë e paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve”.
Në rezolutën e miratuar me 61 vota, thuhet mes tjerash se parlamenti “shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”.
Në rezolutën e cila nuk ka karakter detyrues, thuhet se parlamenti “e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar, për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë”.
Ky unitet politik e qytetar, që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës, ri-konfirmon përkushtimin për bashkëpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë”.
Në rezolutën me 10 pika parlamenti numëron mizoritë e forcave serbe në Kosovë. “Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë, të kryera në Kosovë”, thuhet në rezolutë.
“Prandaj privilegji që po i ofrohet Serbisë nga kjo gjykatë në këtë formë, duke i akuzuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për hatër të saj, nxit ngatërresa të reja. E themi me bindje të plotë se kjo gjykatë po bën gabim të pafalshëm lidhur me aktakuzën ndaj krerëve të UCK-së. Fillimisht ishte paraparë të hetohen krimet e kryera nga të dyja anët, nuk rezultoi ashtu sepse kjo gjykatë amnistoi Serbinë dhe krimet e saj të kryera në Kosovë”, tha zoti Gucati.
Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.
Facebook Forum