Lidhje

Kosovë: Diplomatët perëndimorë kundër çdo përpjekjeje për të zhvlerësuar Gjykatën e Posaçme


Ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bënë thirrje të premten qeverisë dhe parlamentit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të dëmtuar apo zhvlerësuar misionin e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte dhe që të sigurojnë kryerjen e misionit të saj në përputhje me Kushtetutën.

Në një komunikatë të përbashkët ambasadorët përgëzuan kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani e cila i ka përcjellë propozimin e presidentit Hashim Thaçi tek Gjykata e Posaçme për ndryshimet kushtetuese që lidhen me mandatin e saj, ndërsa vlerësuan qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës për të respektuar autoritetin e Dhomave të Specializuara për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme të Gjykatës.

Më 24 gusht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi parlamentit të Kosovës që të zgjas mandatin e Gjykatës së Posaçme.

Sipas ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e të cilave është themeluar gjykata “mandati i saj do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse njoftimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët”.

Por, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftojë për një gjë të tillë institucionet e Kosovës.

Presidenti Thaçi i kërkoi parlamentit që mandati të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me qeverinë e Kosovës.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, kanë kërkuar nga grupet parlamentare që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën e Posaçme, duke siguruar një karakter gjithëpërfshirës të saj.

Në dy raste gjatë këtij muaji kjo organizatë tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria e Hagës nuk ka komentuar njoftimet e tilla ndërsa hetuesit e saj kanë marrë kopjet e këtyre dokumenteve nga Organizata e Veteranëve të luftës.

Ideja për themelimin e Gjykatës pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG