Lidhje

Vetëvendosje: Mandatarin për kryeministër të Kosovës e propozojmë ditëve në vijim


Lëvizja Vetëvendosje tha të mërkurën se ditëve në vijim do t’i dërgojë presidentit të vendit propozimin për mandatarin për kryeministër, duke sfiduar kësisoj një afat prej 48 orësh që presidenti Hashim Thaçi i kishte caktuar kësaj partie për ta bërë propozimin.

Në një komunikatë pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, thuhet se “në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim. Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t'ia drejtojë Dekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se i ka ofruar kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe 48 orë shtesë për emërimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm. Por, zyra e presidentit Thaçi nuk sqaroi se mbi ç’bazë është dhënë ky afat, ndërsa njohësit e çështjeve juridike të kontaktuar nga Zëri i Amerikës thanë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese që pasoi krizën institucionale të vitit 2014 kur vendi mbeti gjashtë muaj pa qeveri pas zgjedhjeve nuk i jep të drejtë presidentit të vendit të caktoj afate të tilla.

Lëvizja Vetëvendosje që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, është përfshirë në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ngritjen e koalicionit qeverisës, por deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Udhëheqësit e dy subjekteve do të takohen sot pasdite për të vazhduar bisedimet e filluara një ditë më parë të cilat zgjatën më shumë se tri orë.

Bisedimet rifilluan pas një pushimi të gjatë, që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike.

Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG