Lidhje

Kosovë: Studim mbi mundësitë e pajtimit ndëretnik


Një studim i publikuar nga organizata Integra, vë në pah se shumica e qytetarëve të Kosovës mendojnë se për të arritur pajtimin ndëretnik, është i domosdoshëm ndriçimi i së vërtetës dhe vendosja e drejtësisë për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Kështu u tha gjatë prezantimit të një anketimi me titull “matja e perceptimit publik, dhe dialogu publik, për Komisionin e ardhshëm për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”, me anë të së cilës synohet të kuptohen opinionet e qytetarëve për nismën për themelimin e këtij komisioni.

Në dhjetor të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, themeloi ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, me të cilën synohet që të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm mes komuniteteve për të ndëshkuar krimet e kryera gjatë luftës së fundit dhe arritjen e pajtimit në Kosovë.

Sipas studimit, 83 për qind e të anketuarve konceptin e pajtimit e kuptojnë si paqe dhe respektim të të drejtave të njeriut të një individi. “Për të arritur pajtimin në Kosovë, të anketuarit u pajtuan në masë të madhe se është e domosdoshme gjetja e të vërtetës me rreth 90 për qind si dhe drejtësia juridike me 88 për qind”.

Po ashtu raporti nxjerr në pah se “shqiptarët e Kosovës i konsiderojnë qeverinë e Kosovës dhe atë serbe si subjektet kryesore për realizimin e pajtimit, ndërsa shumica e serbëve të Kosovës besojnë se kjo duhet bërë ndërmjet komuniteteve”.

Kathelijne Schenkel, bashkautore e raportit tha të vërtetën dhe pajtimin do ta ndihmonte një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Në të vërtetë, përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe ndërmjet qeverive, kjo natyrisht se do të ndihmojë punën e komisionit”, tha ajo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qytetarët besojnë se e vërteta do t’i ndërtojë urat e vërteta të pajtimit, të paqes dhe të shikimit nga e ardhmja në paqe. Ai tha se edhe bisedimet me Serbinë mund të shërbejnë drejt pajtimit më të shpejt.

“Unë mendoj që ky proces mund të shkoj paralelisht me një debat shoqëror në Kosovë e gjithashtu edhe në procesin e mundshëm të arritjes së një marrëveshjeje paqësore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ajo pse njerëzit duan që të ketë me të vërtetë pajtim, që duan edhe të vërtetën është shikimi nga e ardhmja, e ardhme e zhvillimit ekonomik, e një jete shumë më të mirë për të gjithë qytetarët, prandaj besoj se mund të dërgojmë edhe mesazhe të mira për gjithë rajonin”, tha presidenti Thaçi.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se pajtimi do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe se duhet angazhim i sinqertë rreth të kaluarës për të ndërtuar të ardhme të përbashkët.

“Prandaj, ne e mbështesim punën e ekipit përgatitor të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin duke nënkuptuar që ekipi do të vazhdojë të punojë me integritet dhe objektivitet dhe pa agjendë politike. Për të qenë i suksesshëm komisioni duhet të përqendrohet te viktimat dhe të jetë gjithëpërfshirës. Komisioni duhet të mundësojë që të dëgjohen rrëfimet e të gjitha viktimave, nga të gjitha komunitetet e Kosovës’, tha ambasadori Kosnett.

Natasha Kandiç nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd tha se “ne që duam pajtimin duhet të kemi një nga ato dimensione të forta humanitare, i cili do të ndihmojë në formimin e kujtesës shoqërore, e cila do të ushqejë ato kujtime dhe do të garantojë me të drejtë ndëshkimin e krimit”.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se gatishmëria për t’u përballur me të kaluarën dhe hapja e një dialogu të sinqertë mund t’i hap rrugë ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe të mundësojë pajtimin. Ata thonë se mungesa e vullnetit politik ka penguar vënien e drejtësisë në lidhje me krimet e luftës dhe rrjedhimisht edhe procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG