Lidhje

Një mozaik i lashtë në Dresnik të Kosovës


Fshati Dresnik i Kosovës fshihte një sekret të lashtë nën tokën e tij – një mozaik të periudhës romake. Mozaiku shumëngjyrësh është një nga gjetjet më të rëndësishme në Kosovë në katër dekadat e fundit dhe zbulimi i tij ka gëzuar si arkeologët ashtu edhe familjen në tokën e së cilës ai u gjet.

Në fshatin Dresnik të komunës së Klinës vazhdojnë gërmimet për ta nxjerrë në dritë të gjithë mozaikun.

Zbulohet mozaik i lashtë në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Ky vend ka qenë përmendur për herë të parë nga arkeologu anglez, Sir Arthur John Evans, i cili besonte se në këtë zonë fshihej një qytet i lashtë romak.
Gërmimet nisën në shtator të vitit 2012, nën drejtimin e arkeologut Masar Valla.

Kur ai zbuloi shenjat e një dyshemeje në trajtën e një mozaiku shumëngjyrësh, i gjithë ekipi u përfshi nga gëzimi.

"Vitin e kaluar bëmë disa gërmime paraprake në zonë dhe gjetëm një pjesë të mozaikut. Këtë vit kemi patur rezultate të mira. Kemi gjetur katër hapësira, të gjitha të mbuluara me mozaikë. Këta janë të epokës romake dhe datojnë nga shekulli i dytë ose i tretë. Mendojmë se duhet të ketë qenë një ndërtesë publike ose ndonjë vilë qytetëse," thotë arkeologu Valla.

Arkeologu beson se objekti është i shpërndarë në një zonë prej rreth 50 hektarësh.
Deri tani ata kanë hapur 200 metra katrorë, që mendohet se është kati përdhes i ndërtesës. Pikërisht këtu e zbuluan edhe mozaikun.

Zoti Valla thotë se ky është një ndër mozaikët më të bukur të zbuluar deri më sot në Kosovë.

Sladja Smigic është pronare e tokës ku po bëhen gërmimet dhe ka jetuar aty gjithë jetën e saj.

"Kur babai im ishte ende gjallë para 30 vjetësh, ai thoshte se nën truallin tonë ndodhet një qytet i lashtë. Në fakt ne kurrë nuk e punuam këtë tokë."

Ajo u habit me këtë zbulim po ashtu si edhe arkeologët dhe thotë me shaka se duhet t'u kishte kushtuar më shumë vemendje historive që tregonte i ati.

"U habita shumë kur na thanë. Shkova atje bashkë me burrin. E pabesueshme që ky mazaik u gjet nën truallin tonë."

Mozaiku i fshatit Dresnik është një nga gjetjet më të rëndësishme në Kosovë në katër dekadat e fundit.

Mendohet se objekti ndodhet në rrugën e vjetër romake 'Via Lissus-Naissus' që lidhte qytetin e Lezhës me Nishin në Serbi, thotë arkeologu Masar Valla.
Mozaiku është një fillim i mbarë dhe ka mundësi që këtu të ketë edhe thesarë të tjerë, ndërkohë që gërmimet vazhdojnë.
XS
SM
MD
LG