Lidhje

Nishani: Të vazhdojnë reformat në drejtësi


Presidenti Nishani qëndroi për një vizitë një javore në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës mori pjesë në forumin e Nismës Globale të Presidentit Klinton, që zhvillohet paralelelisht me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, si dhe u takua me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në disa shtete të Amerikës si në Masaçusets, Detroit dhe Nju Jork. Por në vendin e tij, Presidenti Nishani ndeshet me një situatë të re politike, pas ardhjes së koalicionit të majtë në pushtet dhe ndërsa vendi ndeshet me probleme të mëdha, sidomos për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, pasoja të një sistemi të dobët drejtësie, që është akuzuar vetë si i korruptuar. Presidenti Nishani ishte i ftuar në emisionin Ditari të Zërit të Amerikës.
Draft Entry
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:12 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Presidenti, fillimisht, të ndalemi tek vizita tuaj në Shtetet e Bashkuara. Me çfarë përshtypjesh largoheni nga takimet që keni patur këtu me komunitetin shqiptar?

President Nishani: Ka qenë një vizitë e shkëlqyer me mbresa të paimagjinueshme. Përveç pjesëmarrjes në takimin e Nismës së ish-Presidentit Klinton, me ftesë të të cilit unë erdha në Nju Jork, pata shansin të takoj pjesë të rëndësishme të diasporës shqiptare në SHBA duke filluar nga Bostoni, ku kisha e Shën Gjergjit e krijuar nga Fan Noli dhe e udhëhequr sot nga At Artur Liolin mbetet një nga vatrat e mëdha të shqiptarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Po ashtu një vizitë mbresëlënëse pata me shqiptarët në Miçigan, duke patur mundësi të shikoj jo vetëm frymën komunitare të jetës së tyre, por njëkohësisht dhe ruajtjen e atyre traditave të shkëlqyera shqiptare, të kulturës sonë por dhe të bashkëjetesës e respektit fetar, duke vizituar disa nga qendrat e rëndësishme të kultit, kishën katolike, teqenë e Baba Rexhepit dhe qendrën islame. Këtu në Nju Jork padyshim që është pjesa më dinamike e diasporës shqiptare, duke filluar me organizatën Vatra, më tej do të vijojmë me një takim tashmë të përgatitur nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe natyrisht që mbresat lidhen me mikpritjen shqiptare, e cila në diasporën shqiptare në Amerikë ka ruajtur gjithmonë dimensionin më të shkëlqyer të shqiptarisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, duke u kthyer tek situata në Shqipëri, duket se marrëdhëniet tuaja me të majtën e sapo-ardhur në pushtet kanë patur disa përplasje që në fillim. Si e shihni të ardhmen e raporteve me shumicën e re?

President Nishani: Unë nuk kam apsur asnjë përplasje. Kam qenë gjithmonë në përmbushje të detyrave të mia kushtetuese të ruajtjes së integritetit kushtetues dhe simbolik të Presidentit të Republikës. Natyrisht që lufta politike shpesh herë ka tentuar të përfshijë dhe Presidentin e Republikës. Gjithsesi, e rëndësishme është që institucionet të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të respektit reciprok kushtetues, të respektit institucional dhe gjithmonë në shërbim të ushtrimit të përgjegjësive të tyre dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Tashmë, pas zgjedhjeve parlamentare, kemi një maxhorancë të re politike e cila përbëhet nga koalicioni i qendrës së majtë, nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, çka do të thotë që për Presidentin e Republikës nuk ndryshon asgjë në përgjegjësitë e tij, në sjelljet e tij institucionale, duke pasur si synim dhe si angazhim gjithmonë mbështetjen e të gjitha reformave që ndërmerren në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Nishani, opozita nuk e ka fshehur faktin se ju konsideron ju si mbështetës të së djathtës dhe jo si të paanshëm. Shtypi ditët e fundit ka shkruar se ju keni punësuar në presidencë zyrtarë të lartë të ish qeverisë së mëparshme, si sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë dhe një këshilltar të ish kryeministrit Berisha. Si mund të garantoni se do të jeni një president mbi palët dhe do të luani rolin e një arbitri të paanshëm?

President Nishani: Natyrisht të punosh me njerëz që kanë parime apo besime politike të ndryshme nuk është ndonjë shqetësim në demokraci. Mentalitete të tilla të luftës së klasave janë lënë prapa që në vitin 1992 nga shqiptarët. Në presidencë mund të ketë punonjës të cilët në mënyrë individuale kanë bindje politike të ndryshme, kanë besime fetare të ndryshme dhe kjo nuk përbën asnjë shqetësim në një demokraci normale. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që, pavarësisht nëse një president... më konkretisht në rastin tim, që i kam takuar një partie politike si Partia Demokratike në të shkuarën, i besoj parimeve të qendrës së djathtë – kjo është liria e individit – por në asnjë rast këto besime nuk ndikojnë në mënyrën e sjelljes institucionale, nuk ndikojnë dhe nuk do të ndikojnë në përmbushjen e përgjegjësisë të Presidentit të Republikës dhe natyrisht në ndërtimin e një fryme bashkëpunimi midis institucioneve në Shqipëri, çka është një pjesë e rëndësishme e kulturës politike por edhe e asaj që presin qytetarët shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Në reagimin tuaj ndaj zëvendësimit të fotografisë së Presidentit të Republikës, thatë se sido që të jetë kushtetuta do të mbrohet. A pritet që të ankoheni në gjykatën kushtetuese për këtë çështje?

President Nishani: Në këtë rast nuk është e rëndësishme aspak në mënyrë thelbësore pjesa formale, por kultura konstitucionale e shtetit. Dhe unë besoj që kultura konstitucionale e shtetit është një vlerë në radhë të parë për simbolikën e shtetit por edhe për mënyrën e funksionimit të gjithë instrumentave. Nëse kultura konstitucionale e shtetit është në themel dhe përbën tërë shtyllën e mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit të institucioneve shqiptare, atëherë do të respektohen liritë e qytetarëve dhe do t’u çohet atyre shërbimi më i mirë. Natyrisht të gjitha hapat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kushtetutës janë një detyrë dhe përgjegjësi e faktorëve dhe aktorëve të shoqërisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kritikuar si ndër më paefektshimit dhe i zhytur në korrupsuion. Ditët e fundit janë hedhur ide për ta reformuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Cili është mendimi juaj për këtë? A duhet të riorganizohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kuadër të reformës në drejtësi?

President Nishani: Sistemi i drejtësisë në Shqipëri në tërësi dhe ai i gjyqësorit kanë padiskutim nevojë për vijimin e reformave të rëndësishme, për t’u bërë më transparent, për t’u bërë më efiçentë dhe për t’u bërë shërbyes të drejtpërdrejtë të ligjit dhe, përmes ligjit, të qytetarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin e kaluar ka arritur standarde mjaft domethënëse të cilat janë pasqyruar jo vetëm në aktivitetin e KLD-së por dhe në vlerësimet serioze të ardhura nga Bashkimi Europian dhe veçanërirsht nga Komisioni Europian. Për herë të parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë vitin që kaloi ka kryer veprimtarinë e tij në promovimin e gjyqtarëve bazuar vetëm në vlerësimin e punës së tyre profesionale dhe vetëm në meritën e gjendjen e tyre integrale në funksion dhe përmbushje të detyrave të tyre. Njëkohësisht KLD ka qenë mjaft serioz në analizimin dhe gjykimin e rasteve të paraqitura para tij nga qytetarë dhe institucione për shkelje të ndryshme dhe veprimtari korruptive të gjyqtarëve. Kanë qenë mbi 12 raste vetëm vitin e shkuar që KLD ka dhënë masa të ndryshme dhe dy prej gjyqtarëve janë përjashtuar përgjithmonë nga sistemi gjyqësor. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka arritur një standard jashtëzakonisht të lartë, ka përmbushur një formulë të re për herë të parë në përbërjen e gjykatave administrative të vendit, ku gjyqtarët e këtyre gjykatave u përzgjodhën përmes një procesi të testimit elektronik dhe në bazë të sistemit të pikëzimit, të cilat janë aplikuar pra për herë të parë në Shqipëri nga ky Këshill i Lartë i Drejtësisë. Natyrisht, reformat janë dhe do të jenë gjithmonë të mirëpritura, por çdo hap i cili do të tentojë ndërhyrjen e pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, ndërhyrjet e politikës përmes shantazhit dhe presionit tek sistemi i drejtësisë do të jenë tërësisht të papranueshme dhe unë jam i sigurt që nuk do të jenë të suksesshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, ish prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka kërkuar të kalojë gjyqtare në Gjykatën e Apelit, që prej janarit të këtij viti, në bazë të një të drejte që asaj ia njeh ligji. Përse kjo kërkesë e saj nuk është marrë në shqyrtim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë?

President Nishani: Mesa jam unë i informuar, ka bërë një kërkesë për të kaluar jo në vendin e saj të mëparshëm, para se të emërohej Prokurore e Përgjithshme, ashtu siç dhe e parashikon ligji dhe që është një e drejtë që ligji ia njeh, pra që pas përfundimit të detyrës të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, si gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, çka nuk është kërkuar dhe nuk është pranuar nga zonja Rama. Natyrisht, ajo ka të drejtën e saj, si çdo gjyqtar tjetër i Republikës, të aplikojë për Gjykatën e Apelit dhe vende të tjera dhe kjo mbetet në gjykimin e KLD-së në vendimmarrjen e tij.
XS
SM
MD
LG