Lidhje

Presidenti Obama sot mban fjalimin vjetor


Sonte, Presidenti amerikan Barak Obama do të kërkojë avancimin e axhendës së tij në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit që ai do ta mbaj para Kongresit.

Presidenti Obama pritet t’u bëjë thirrje ligjvënësve të punojnë me të për krijimin e vendeve të punës dhe për ngushtimin e dallimit mes të pasurve dhe të varfërve.
Presidenti nuk ka pasur sukses që t’i bindë ligjvënësit që të miratojnë ngritjen e pagës minimale, që kur ai e ngriti këtë çështje në fjalimin mbi gjendjen e vendit vitin e kaluar.

Presidenti do ta përsërisë këtë thirrje në fjalimin e sotëm, madje do të njoftojë planet për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv për rritjen e pagës minimale për punonjësit e kompanive që nënshkruajnë kontrata të reja me qeverinë federale.

Fjalimi i presidentit mbi gjendjen e vendit
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:33 0:00

Kjo ngritje page, nga 7.25 dollarë në orë, që është tani, në 10.10 dollarë është një prej shumë urdhërave ekzekutivë që zoti Obama ka në plan të nënshkruajë këtë vit për të zbatuar përparësi të tij pa miratimin e Kongresit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney dje vonë tha se fjalimi ishte ende duke u përpunuar, dhe se Presidenti Obama mezi pret ta paraqesë axhendën e tij para ligjvënësve dhe mbarë vendit.

"Në fjalimin e tij, Presidenti do të ofrojë vizionin dhe axhendën e tij për lëvizjen e vendit përpara, dhe hapat që mund të merren për të zgjeruar mundësitë për të gjithë amerikanët, dhe gjërat që duhet bërë për t’u siguruar që në Amerikë puna e mirë shpërblehet, përgjegjësia shpërblehet, dhe se të gjithë duhet të kenë mundësi të shfrytëzojnë mundësitë që ofron ky vend."

Presidenti Obama pritet të bëjë thirrje për të luftuar rritjen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve amerikanë si dhe për zgjerimin dhe mbrojtjen e klasës së mesme. Për të arritur këtë qëllim, presidenti do të kërkojë kompromis nga Kongresi i ndarë në vija politike, por ai gjithashtu pritet të nxjerrë në pah aftësinë e tij për të vepruar me anë të vendimeve ekzekutive.

Republikanët tashmë kanë filluar të kritikojnë axhendën e Presidentit Obama duke thënë se ajo është shkaku e jo zgjidhja e problemeve ekonomike të Amerikës. Përgjigja Republikane ndaj fjalimit vjetor të Presidentit mbi gjendjen e vendit, do të bëhet nga ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers. Ajo pritet të konfirmojë pretendimin e partisë së saj se ligji i Presidentit mbi kujdesin shëndetësor, kufizimet e shumta të qeverisë federale ndaj biznesit, dhe vështirësitë fiskale të Uashingtonit janë ato që po pengojnë krijimin e vendeve të punës dhe përparimin ekonomik.

Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney nuk pranoi të japë hollësi mbi çështjet e politikës së jashtme që pritet të jenë pjesë e fjalimit të Presidentit Obama. Senatorja republikane Susan Collins i tha Zërit të Amerikës se ka një shqetësim të veçantë global të cilin ajo dëshiron që presidenti ta diskutojë.

"Irani është ndoshta numër një në listën time, për shkak të kërcënimit që një Iran i pajisur me armë bërthamore paraqet për sigurinë, jo vetëm të Lindjes së Mesme, por edhe për sigurinë tonë. Unë jam shumë e shqetësuar në lidhje me drejtimin e negociatave që administrata ka zgjedhur, sepse duket se ajo do të lejojë iranianët të vazhdojnë pasurimin e uraniumit."

Shikueshmëria e fjalimit vjetor të Presidentit mbi gjendjen e vendit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney e përshkroi fjalimin si "një mundësi të madhe" për çdo President që të flas para ligjvënësve dhe miliona amerikanëve. Fjalimi dhe përgjigja Republikane ka gjasa të vendosin tonin politik në Uashington për vitin 2014, një vit zgjedhjesh në të cilin të do të votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e vendeve në Senat.
XS
SM
MD
LG