Lidhje

OSBE raport për zhvillimet në Shqipëri


Raporti vjetor u paraqit në Këshillin e përhershëm të OSBE-së. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit “publiku shqiptar ka pritshmëri të mëdha, vecanërisht për standartet demokratike, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik“.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning paraqiti sot përpara Këshillit të përhershëm të kësaj organizate në Vjenë raportin vjetor mbi zhvillimet në Shqipëri. Duke komentuar ndryshimin e pushtetit që pasoi zgjedhjet e 23 qershorit në raport theksohet se klasa politike shqiptare ka rastin të përqafojë një stil të ri për tu përballur me sfidat thelbësore, duke vënë në pah nderkohe nevojën e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës

Raporti i paraqitur sot në Vjenë para Këshillit të përhershëm të Osbe-së është një përshkrim i zhvillimeve kryesore politike në Shqipëri përgjatë vitit të fundit, ku një vend të vecantë zë periudha e këtyre muajve që pasoi zgjedhjet e 23 qershorit e që sollën ndryshimin e pushtetit.

Raporti i OSBE-së për Shqipërinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00


Ambasadori i Osbe-së Florian Rauning vlerëson se pavarësisht axhendës ambicioze, “qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme të cilat duhen trajtuar në mënyrë të pjekur e gjithëpërfshirëse“. Ai thekson si pozitiv faktin se “shumica e majtë ka shfaqur një interes të fortë për të ecur përpara me reformat e nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave“, nënvizon raporti duke shtuar se “klasa politike shqiptare ka rastin të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspirata e qytetarëve të saj“.

Ambasadori i Osbe-së vë në pah kalimin “relativisht të qetë“ të pushtetit pas zgjedhjeve duke kujtuar megjithatë akuzat e së majtës për shpërdorim pushteti nga ana e qeverisë që u largua, dhe akuzat e opozitës ndaj ekzekutivit të ri “për spastrim të supozuar të administratës publike“. Ai vë në dukje përplasjet që solli ndërhyrja e qeverisë për të shtyrë hyrjen në fuqi të efekteve të ligjit për administratën publike, një vendim që sic shkruhet në raport është marrë “pas konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare“. Po ashtu ai flet edhe për polemikat që kanë nxitur ndryshimet e dretuesve të policisë. “Ministria e Brendshme ka ndërmarrë së fundmi një përpjekje të madhe ristrukturimi për ta modernizuar dhe profesionalizuar shërbimin policor. Opozita megjithatë ka pretenduar për emërime të paligjhme në majën e Policisë. Mbetet për t’u parë se cfarë ndikimi do të kenë këto ndryshime të rëndësishme në strukturë dhe në shpërndarjen e personelit“. Në luftën kundër krimit të organizuar raporti i OSBE-së vlerëson se “mbetet shumë për të bërë për të zvogëluar dhe goditur grupet kriminae transnacionale si dhe për të crrenjosur qendrat e njohura të prodhimit vendas të marijuanës“.

Lidhur me korrupsionin theksohet se “gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar. Organet shtetërore që merren me korrupsionin nuk janë nde plotësisht të mbrojtura nga presioni politik dhe vuajnë nga kufizimi i burimeve njerëzore e financiare“. Përsa i përket sistemit gjyqësor, vlerësohen reformat e ndërmarra dhe ligjet e reja të miratuara. Por sipas ambasadorit të Osbe-së “ndonëse ndryshimet në Ligjin për Gjykatën e lartë mund të rrisin efikasitetin, ka ende dyshime nëse do të sjellin përmirësimet e parashikuara në pavarësinë e Gjykatës, për shkak të mundësisë së vazhdueshme të ndikimeve politike në proces“. Raporti përmend shqetësimet lidhur me cështjet e pronës, të drejtave të njeriut, mediave apo ish të përndjekurve politik.

Ambasadori i OSBE-së duke ju referuar raportit të progresit të Komisionit europian, thekson se klasa politike dhe qytetarët shqiptarë kanë rastin të shfrytëzojnë këtë inerci pozitive për të kërkuar transformimin e atdheut të tyre. Në mbyllje të raportit, theksohet se “publiku shqiptar ka pritshmëri të mëdha, vecanërisht për standartet demokratike, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik. Qeveria e re ka paraqitur program ambicioz për realizimin e tyre. Kontributi konstruktiv i opozitës është i domosdoshëm për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë shqiptare“, nënvizon ambasadori i OSBE-së.
XS
SM
MD
LG