Lidhje

Fillon gjykimi ndaj të akuzuarve për sulmet e vitit 2015 në Paris


Në një kompleks të sigurt të vendosur brenda një gjykate të shekullit të 13-të, Franca do të fillojë të mërkurën procesin gjyqësor kundër 20 burrave të akuzuar për sulmet e grupit Shteti Islamik në Paris në vitin 2015, që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Nëntë persona të armatosur dhe sulmues vetëvrasës goditën brenda pak minutash stadiumin kombëtar të futbollit në Francë, sallën e koncerteve Bataclan dhe restorantet dhe kafenetë e Parisit më 13 nëntor të vitit 2015. Të mbijetuarit e sulmeve si dhe familjarët e të vrarëve pritet të jenë të pranishëm në dhomat e gjykatës që janë projektuar për t’u bërë vend 1,800 paditësve dhe 350 juristëve.

I mbijetuari i vetëm i celulës ekstremiste nga ajo natë, Salah Abdeslam, është i pandehuri kryesor midis atyre që do të gjykohen për sulmin më vdekjeprurës në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai është i vetmi i akuzuar për vrasje. Rrjeti i njëjtë i IS-it sulmoi Brukselin muaj më vonë, duke vrarë 32 persona.

Në prill të vitit 2018, një gjykatë belge dënoi me 20 vjet heqje lirie Salah Abdeslamin dhe një bashkëpunëtor të tij, për tentim vrasjen e policëve gjatë një shkëmbimi të zjarrit në Bruksel në vitin 2016.

Njëzet burra akuzohen, por gjashtë prej tyre do të gjykohen në mungesë. Abdeslam, i cili braktisi makinën e tij me qira në veri të Parisit dhe hodhi tutje një jelek vetëvrasës para se të ikte në shtëpi në Bruksel, ka refuzuar të flasë me hetuesit. Por, ai ka përgjigjet për shumë nga pyetjet e hapura në lidhje me sulmin dhe njerëzit që e planifikuan atë, si në Evropë ashtu edhe jashtë saj.

Salla moderne e gjyqit u ngrit brenda Pallatit të Drejtësisë të shekullit të 13-të në Paris, ku ndër të tjera ishin përballur me gjykimin edhe Marie Antoinette dhe Emile Zola.

Për herë të parë, të mbijetuarit gjithashtu mund të kenë një lidhje audio të sigurt për të dëgjuar procesin nga shtëpia nëse duan, me 30 minuta vonesë.

Gjyqi është planifikuar të zgjasë nëntë muaj. Muaji shtator do t'u kushtohet paraqitjeve të policisë dhe provave mjeko-ligjore. Tetori do t'u kushtohet dëshmive të viktimave. Nga nëntori deri në dhjetor, zyrtarët përfshirë ish -presidentin francez, François Hollande, do të dëshmojnë, sikurse edhe të afërmit e sulmuesve.

Asnjë nga procedurat nuk do të transmetohet apo ritransmetohet në televizion, por ato do të regjistrohen për qëllime arkivore. Video regjistrimi është lejuar vetëm për një pjesë të vogël të rasteve në Francë që konsiderohen me vlerë historike, përfshirë gjykimin e vitit të kaluar për sulmet e vitit 2015 kundër gazetës Charlie Hebdo në Paris.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG