Lidhje

Përfundon takimi i G20-ës


Udhëheqësit e G-20 përfunduan takimin e nivelit të lartë në qytetin turistik Los Cabos të Meksikës, me disa përparime në përpjekjet për të qetësuar tregjet financiare dhe për të stabilizuar ekonominë botërore, por jo në masën që pritej. Udhëheqësit pjesëmarrës premtuan të mbështesin hapat konkretë në zgjidhjen e krizës së borxheve të Evropës si dhe në avancimin e objektivave të tjera.

Ndërsa dielli filloi të perëndonte mbi plazhet dhe hotelet luksoze në Los Cabos, udhëheqësit e G20-ës publikuan deklaratën e tyre, me thirrje për masa në nxitjen e rritjes ekonomike dhe stabilizimin e krizës së borxheve në Evropë.

Ndërsa disa vëzhgues nga organizata jo-qeveritare janë ankuar për mungesën e angazhimeve të qarta në çështje si pakësimi i varfërisë, kryeministri britanik David Cameron foli me një ton pozitiv.

“Besoj se ky takim ndali disa prej rreziqeve në rritje për ekonominë botërore.”

Udhëheqësi britanik thotë se është e rëndësishme që krerët e shteteve nga vendet drejtuese të diskutojnë së bashku rreziqet me të cilat përballe ekonomia botërore dhe që këto diskutime të vazhdojnë në forume të tjera në javët e ardhshme.

Presidenti francez Francois Hollande, i cili morri pjesë për herë të parë në takimin e G20-ës tha gjithashtu se është bërë përparim, por shtoi se ka edhe shumë sfida përpara.

Ai theksoi rëndësinë e marrëveshjeve për të financuar investimet që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike dhe pakësimin e papunësisë.

Si zoti Cameron dhe zoti Hollande thonë se zgjidhja e problemit evropian të borxhit do të ndihmojë në fund të fundit të gjithë botën.

Në se diskutimet do të kthehen në sukses, kjo do të varet nga mënyra sesi vendet e G20-ës do të përmbushin angazhimet e tyre dhe sa shumë besim do të përçojnë ato në vendet e goditura rëndë nga kriza.

Vendimi përfundimtar për këtë takim të nivelit të lartë do të vijë në ditët dhe javët në vazhdim nga tregjet financiare botërore.


XS
SM
MD
LG