Lidhje

Pompeo: Presim të shohim rol udhëheqës nga Mali i Zi kundrejt sfidave rajonale


Shtetet e Bashkuara pëshëndesin angazhimin e Malit të Zi për të përballuar sfidat e përbashkëta, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit duke veçuar shtimin e kontributit të Podgoricës në misionin e NATO-s në Afganistan.

"Kjo dëshmon më së miri ndarjen bashkarisht të përgjegjësive dhe për këtë ju përgëzojmë," u shpreh zoti Pompeo.

Sekretari Pompeo në Mal të Zi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Sekretari i Shtetit, Pompeo i bëri komentet gjatë ndalesës në Mal të Zi në kuadër të turneut të tij në Itali dhe në Ballkanin Perëndimor. Shefi i diplomacisë amerikane Mike Pompeo është i pari sekretar amerikan i shtetit që viziton Malin e Zi që kur ky vend shpalli pavarësinë 13 vjet më parë.

Pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç, Pompeo në një konferencë për shtyp vuri në dukje mbështetjen amerikane në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe luftës kundër korrupsionit dhe vlerësoi bashkëpunimin e të dy vendeve dhe luftën e përbashkët kundër rreziqeve të shekullit XXI.

“ShBA presin nga Mali i Zi dhe qeveria e tij në veçanti, të marrin një rol udhëheqës në përpjekjet rajonale kundër korrupsionit, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e mediave. Diplomatët tanë këtu janë të përkushtuar ndaj këtij misioni dhe do t'ju ndihmojnë ta realizoni si duhet”.

Sekretari amerikan, Mike Pompeu theksoi se duhet të punohet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave duke marrë si shembull rastin e sulmit ndaj gazetares malazeze Olivera Lakiç.

"Unë pata privilegjin të takoja Olivera Lakiçin, e cila mori çmimin Ndërkombëtar të dhënë nga Departamenti i Shtetit si Grua e Guximshme. Ajo është një gazetare malazeze që u qëllua sepse shkruante për kontrabandën e cigareve. Sulmet ndaj gazetarëve si ajo janë sulme ndaj demokracisë dhe parimeve të aleancës sonë," tha Sekretari Pompeo.

Zoti Pompeo tha se SHBA janë krenare që vazhdojnë partneritetin me Malin e Zi, i cili është një vend i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër zyrtari i lartë amerikan përmendi marrëveshjen mes dy vendeve për blerjen e 36 milionë dollarësh pajisje ushtarake. Kjo është shitja më e madhe e pasisjeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për këtë aleat të NATo-s në Ballkan.

Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen amerikane në fushën e sigurisë kibernetike kundër sulmeve ruse.

Shefi i diplomacisë amerikane foli për lidhjen e pandashme mes qeverisjes së mirë dhe begatisë ekonomike:

"Qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe transparenca kanë rëndësi kyçe për rritjen e vazhdueshme të turizmit dhe investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë".

Zoti Pompeo shprehu angazhimin për të ndihmuar Malin e Zi të tërheqë më shumë turistë e biznese amerikane.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, vizitën e sotme të sekretarit amerikan të shtetit në Mal të Zi e vlerësoi si historike

"Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Mal të Zi është historike. Pas vizitës së Nënpresidentit Mike Pence, kjo është një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe se SHBA vlerësojnë aleancën tonë dhe rolin konstruktiv në rajon. Kjo vizitë është një shenjë e angazhimit të SHBA në rajonin tonë, sigurinë, stabilitetin”, tha kryeministri Dusko Markoviç .

Kryeministri malazez, Dushko Markoviç vuri në dukje rëndësinë e ndarjes së balancuar të përgjegjësive me aleatët europianë në fushën e mbrojtjes.

“SHBA do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për institucionet tona, kurse ne do të vazhdojmë të japim një kontribut të unifikuar në misionet e paqes dhe stabilitetit," tha zoti Markoviç.

Kryeministri Markoviç shprehu besimin se deri në vitin 2024, dhe ndoshta më herët, Mali i Zi do të arrijë një objektiv të dakorduar zakonisht prej dy për qind të GDP për shpenzimet e mbrojtjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në takime të veçanta u prit nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe nga Ministri i jashtëm, Srgjan Darmaniviç.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG