Lidhje

Në prag të zgjedhjeve komunale në Prizren


Zgjedhjet lokale në Kosovë: Prizreni
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:25 0:00

Në vazhdën e mbulimit të fushatës për zgjedhjet komunale që pritet të mbahen me 22 tetor në Kosovë, Zëri i Amerikës sjell platformat e kandidatëve dhe përgatitjet në komunën e Prizrenit.

Zgjedhjet lokale në Kosovë: Prizreni
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:25 0:00

Dhjetë subjekte të ndryshme politike kanë vënë kandidaturat e tyre për postin e kryetarit të Prizrenit, që shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Kosovës. Të gjithë ata po përpiqen të sigurojnë shumicën e rreth 150 mijë votuesve në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Konkurrenca më e fortë zhvillohet ndërmjet katër partive, Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, thotë se përvoja në menaxhim e bën atë kandidat ideal për të udhëhequr Prizrenin.

“Tetëmbëdhjetë vjet në menaxhment të administratës tatimore të Kosovës, dhjetë vjet në menaxhment të sportit kulminant në Kosovë, përveç asaj kam përfunduar specializimin për menaxhment dhe lidership në universitetin e Washingtonit, jam ekspert i certifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pra jam një profil profesional sepse mendoj se kryetari i ardhshëm i komunës duhet të jetë më shumë menaxher dhe lider kurse me politikë duhet të merret vetëm për aq sa i duhet që t’i fitojë zgjedhjet”, thotë zoti Totaj.

Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku, thotë se deri tash Prizreni është përballur me keqqeverisje dhe se partia e tij tani e ka programin e duhur për të bërë ndryshimin.

“Qytetarët e Prizrenit janë përballur dhjetë vjet me një qeverisje e cila nga të gjitha hulumtimet është vlerësuar si qeverisja më jo transparente, qeverisje e cila më së paku ka bashkëpunuar me qytetarët dhe grupet e interesit. Ndërsa LDK ofron një program të cilin e kemi studiuar dhe hartuar mirë në bashkëpunim me të gjithë qytetarët, të gjitha grupet e interesit, me bizneset, me fshatrat me lagjet e qytetit dhe është një program zhvillimor që duhet të votohet”, thotë zoti Baxhaku.

Kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, thotë se që nga përfundimi i luftës në Prizren janë ndërruar vetëm figurat politike por jo edhe mënyra e qeverisjes, prandaj Vetëvendosje siguron ndryshimin e nevojshëm.

“Çështjet kyçe nëse nuk janë adresuar me politikat e njëjta jo transparente, besoj që tani është koha që qytetarët të ndryshojnë dhe ndryshimi i vërtetë është Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja ime. Unë mendoj që ne kemi treguar në Prishtinë që atë që zotohemi e bëjmë dhe të njëjtën kohë të gjitha vendimet që i marrim ne i marrim së bashku me qytetarët e atij vendi, prandaj unë mendoj që tani është radha që qytetarët të na votojnë neve, Lëvizjen Vetëvendosje dhe mua si kryetar të Prizrenit”, thotë zoti Haskuka.

Kandidati i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se programi i partisë së tij përputhet më së miri me nevojat e qytetarëve të Prizrenit.

“Vota për Zafir Berishën nënkupton votë për vendosmërinë që qytetin e Prizrenit të ja kthejmë qytetarëve sepse tashmë po dihet se institucionet e kuvendit komunal janë vu në shërbim të para politikave të partisë në pushtet dhe keqpërdorimi i institucioneve që është bërë për vite të tëra mendoj se duhet të marrë fund me 22 tetor”, thotë zoti Berisha.

Por, cilat janë zotimet e kandidatëve në këmbim të votës së qytetarëve të Prizrenit.

“Kemi një program për krijim të një fondi për zhvillim ekonomik, për përkrahjen e bizneseve të reja, të mesme dhe të vogla. Ky fond do të jetë i përbërë nga 2 milionë euro të cilat do të krijohen nga mbledhja më e mirë e tatimit në pronë si dhe nga mbledhja e të hyrave shtesë vetanake për komunën bazuar në ligjin mbi legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje...Për sa i përket revitalizimit të qendrës historike do të veprojmë në harmoni me ligjin për qendrën historike në Prizren si dhe ligjin për mbrojtjen e monumenteve kulturore historike në nivel të Kosovës. Po ashtu kemi edhe programe për përkrahjen e sportit, kryesisht për ndërtimin e infrastrukturës e cila mungon, për përkrahjen e rinisë, kulturës”, thotë zoti Totaj.

“Ndër pikat kryesore të programit tonë qeverisës janë edhe zhvillimi ekonomik dhe përkrahja e bizneseve. Ne do të punojmë shumë që të hapen dy zona ekonomike në qytetin e Prizrenit të cilat në vete nuk do të kenë vetëm infrastrukturën por edhe zyrën për projekte për partneritet publiko-privat të cilat do t’u ofrohen bizneseve e qytetarëve që të konkurrojnë për të thith donacione dhe kredi me interes të volitshëm. Po ashtu do të ketë zyra për konsulencë për investitorë të jashtëm në mënyrë që t’u shkurtohen pengesat administrative dhe burokratike të cilat i kanë sot”, thotë zoti Baxhaku.

“Deri tash vendimmarrja ka qenë jo transparente dhe shërbimet publike nuk kanë qenë efikase dhe kjo duhet të ndryshohet, kjo është e para. Aspekti tjetër është se kemi një arsim të politizuar dhe shërbime shëndetësore të cilat kanë shumë probleme, kemi ambulanta pa mjekë kemi ambulanta ku ka shumë staf e në shumë aspekte mungojnë gjërat elementare si p.sh nuk punon rëntgeni e kështu me radhë. Ne do të punojmë në përmirësimin e gjendjes në arsim dhe shëndetësi duke bërë disa politika të përbashkëta në këto dy sektorë. Aspekti i tretë është një qytet i qasshëm për të gjithë, nëse e shihni Prizrenin ka shumë probleme me parkingje por në të njëjtën kohë ka mungesë të transportit publik.. dhe çështja e katërt ku besoj që këto tria do të ndihmojnë është zhvillimi ekonomik ku kemi një papunësi shumë të lartë”, thotë zoti Haskuka.

“Krijimi i hapësirave për investitorë vendorë në rend të parë por edhe ndërkombëtarë që të investojnë në qytetin e Prizrenit me idenë që të atakojmë fenomenin shqetësues që është papunësia. Ideja që e kam dhënë në 2009-ën për parkun e biznesit prej 84 hektarëve midis fshatit Korishtë dhe Lubizhdë nuk është realizuar për fat të keq dhe këtë në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes së NISMA-s do ta realizojmë. Natyrisht tashmë në vitin 2018 pritet edhe kazerma që shfrytëzohet nga KFOR-i gjerman t’i jepet kuvendit komunal dhe për këtë jemi duke menduar që pjesën dërmuese të asaj hapësire prej 44 hektarëve ta vëmë në shërbim të bizneseve”, thotë zoti Berisha.

Janë edhe gjashtë kandidatë partish politike që synojnë pushtetin në këtë qytet, që është i dyti në Kosovë për nga madhësia dhe popullsia pas Prishtinës si dhe njihet edhe si qendër shumkulturore e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG